Seanca e sotme në GJKKO për gjykimin e “grupit të mikrokredive” dështoi përsëri, për mungesë avokatësh dhe të pandehurish. Përveç shtyrjes së saj, një vendim u mor nga gjyqtarja Flojera Davidhi: të lirojë nga arresti shtëpiak Elda Ibron, pronaren e Micro Credit Albania, bashkëshorten e të ndjerit Olsi Ibro.
Avokati i Belinda Ballukut, Ardian Kalija, i cili është njëkohësisht edhe avokat i Elda Ibros, duket se nuk ka pasur vështirësi të “bindë” gjyqtaren Davidhi që “afatet e paraburgimit për Ibron janë shuar”.
Me daljen nga qelitë të Arben Meskutit dhe Aldo Dakës, që u izoluan me 22 muaj paraburgim, dhe shuarjen e masës së arrestit për Elda Ibron, tashmë i gjithë grupi i mikrokredive është i lirë.
Të gjithë personazhet që shkaktuan dramën më të madhe financiare për mijëra shqiptarë pas asaj të firmave piramidale, tashmë janë të lirë të gjykohen pa asnjë masë sigurimi personal.
Shumica e “të pandehurve” janë jashtë shtetit, raportohet nga viktimat që marrin pjesë në gjykim.
Fiqiri Bruçi, një nga të mashtruarit që e ka publikuar para tre vitesh rastin e tij, “akuzon” SPAK për lejimin e Andis Gjokës, administrator i MCA, të arratiset jashtë shtetit, në Angli.
Bruçi ka pretenduar në sallën e gjyqit që Andis Gjoka ka shumë kohë që është larguar nga Shqipëria dhe merret me “biznes” në Angli.
Një tjetër viktimë e rrjetit të mikrokredive ka pretenduar në sallën e gjyqit se Albert Gega është larguar në të njëjtën mënyrë për në Gjermani, ndërsa të tjerët “gëzojnë lirinë dhe bëjnë pushime në fundjavat e gjata”.
Viktimat e aferës së mikrokredive akuzojnë nën zë SPAK që ka tejzgjatur pa asnjë rezultat hetimet, duke u dhënë mundësi të pandehurve të “sistemojnë letrat” dhe jetën në liri të plotë.
Nga banka e viktimave të mikrokredive raportohet me irritim qëndrimi i SPAK pas dy vjetësh pa hetime serioze.
“Si mund të hetohen mijëra mashtrime nga një prokuror dhe hetues i vetëm?” – pretendon një prej viktimave, L.H. “Kam lexuar nëpër dokumentet e tyre se Arben Meskuti na akuzon ne që jemi viktima dhe kërkon pafajësi”.
Dosjen e mikrokredive SPAK e ka dёrguar pёr gjykim nё fund tё vitit 2025 në ngarkim të 16 individëve dhe 4 kompanive, të akuzuara për mashtrime me pasoja të rënda përmes skemave të mikrokredisë dhe mbledhjes së detyrimeve financiare.
GjKKO i caktoi një afat 5 mujor prokurorit Edvin Kondili që të plotësonte hetimet për këtë çështje, ku ai dyshon se u zhvatën të paktën 36.8 milionë euro dhe 1700 prona të paluajtshme nga mijëra qytetarë, përmes skemës së rifinancimit të kredive të këqija dhe shantazhit.
Tё pandehurit:
- Elda Bukurosh Ibro
- Arben Yllka Meskuti
- Alban Thoma Kote
- Aldo Piro Daka
- Albert Tholloraq Gega
- Andis Sefedin Gjoka
- Vasil Jani Bakallbashi
- Yliana Ahmet Selfo
- Indrit Çuberi
- Rigels Gezim Bejko
- Altin Vladimir Vako
- Helidon Engjell Xhindi
- Fatos Bektash Alimadhi
- Lefter Ramo Canaj
- Roland Deda
- Endri Flamur Myftari
Personat juridikë:
- “Micro Credit Albania” sh.p.k.
- “ADCA” sh.p.k.
- “Final” sh.p.k.
- “Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group” sh.p.k.
Çështja e mikrokredive gjendet në një fazë paraprake në GJKKO, ku të pandehurit dhe viktimat e thirrura në gjykim nga SPAK prej dy vjetësh nuk po përballen akoma me njëri-tjetrin në një gjykim që do nxjerrë të vërtetën e tyre.
Ndërkohë që vitet kalojnë, dosja e mikrokredive po venitet nëpër seanca hetimore dhe gjyqësore që nuk përfundojnë asnjëherë, duke humbur besimin se një ditë kjo çështje do zbardhet dhe tregojë me gisht fajtorë.

