Protesta e zhvilluar më 28 nëntor në Tiranë, e shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë, ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Agjencitë dhe mediat si Reuters, Associated Press, AFP, Al Jazeera, Deutsche Welle, Anadolu Agency dhe The Telegraph raportuan mbi ngjarjet dhe zhvillimet gjatë tubimit.
Reuters e ka pasqyruar protestën si një tubim të udhëhequr nga studentët, ku protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Raporti përmend hedhjen e gurëve dhe bombolave molotov në drejtim të policisë, si dhe përdorimin e gazit lotsjellës dhe autobotëve me ujë nga efektivët.
Associated Press thekson se mijëra qytetarë u mblodhën në Tiranë për të kërkuar largimin e Ramës. AP raporton edhe dëmtime në godinat qeveritare dhe ndërhyrjen e policisë për shpërndarjen e protestuesve.
Al Jazeera publikoi një artikull me titullin “Policia dhe protestuesit në Shqipëri përleshen, mijëra njerëz protestojnë kundër qeverisë”, ku përshkruhen përplasjet mes policisë dhe protestuesve në Ditën e Pavarësisë.
Deutsche Welle sjell kronikën e zhvillimeve, duke raportuar se protesta nisi në mënyrë paqësore, por situata u përshkallëzua më pas. DW përmend sulme ndaj godinave qeveritare dhe përdorimin nga policia të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave prej gome.
Agjencia turke Anadolu Agency ka përcjellë bilancin fillestar të të lënduarve dhe të arrestuarve, si dhe kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit. Përveç agjencive, edhe media të tjera të huaja kanë raportuar për përplasjet dhe pasojat e tyre.
Raportimet e ndryshme bien dakord që tubimi mbledh mijëra persona dhe çoi në përplasje me policinë, me dëme materiale dhe ndërhyrje të forcave të sigurisë për shpërndarje. Lajmet janë përhapur nga agjencitë e mëdha ndërkombëtare dhe mediat e njohura, duke përfshirë edhe AFP dhe media të tjera që pasqyrojnë ngjarjen.
