KORÇË – Reshjet e para të dëborës kanë përfshirë edhe zonën turistike të Dardhës, duke zbardhur pjesë të aksit rrugor Korçë–Dardhë.
Me uljen e temperaturave, në zonën malore kanë nisur reshjet e dëborës, ndërsa ekipet e mirëmbajtjes rrugore kanë dalë në terren me mjetet borëpastruese për të garantuar pastrimin dhe mbajtjen e rrugës të kalueshme.
Aktualisht aksi Korçë–Dardhë është i hapur dhe qarkullimi vijon normalisht, pa probleme të raportuara.
Megjithatë, për shkak të kushteve atmosferike dhe temperaturave të ulëta, drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, të përdorin goma dimërore dhe të mbajnë me vete zinxhirë.
Autoritetet bëjnë apel për kujdes, veçanërisht në segmentet malore, ku reshjet e dëborës mund të ndikojnë në kushtet e qarkullimit.
