Libia kërkon kompensim nga Ukraina për sulmin në Bengazi

Botë | 8 minuta më parë

Qeveria e Libisë lindore ka paralajmëruar se do të kërkojë dëmshpërblim nga Ukraina për sulmin e kryer më 22 nëntor në portin e Bengazit, i cili shkaktoi viktima dhe dëme materiale.

Ministri i Jashtëm i administratës lindore, Abdulhadi al-Huwayj, deklaroi se autoritetet kanë të drejtë ligjore të kërkojnë kompensim për familjet e viktimave, të plagosurit, si dhe për dëmet e shkaktuara në infrastrukturën portuale dhe aktivitetet ekonomike të prekura nga sulmi.

Në një intervistë për agjencinë ruse RIA Novosti, ai theksoi se kërkesa për dëmshpërblim do të përfshijë mbështetje për familjet e personave që humbën jetën ose u plagosën, por nuk dha detaje mbi shumën që do të kërkohet, afatet apo institucionin ku do të paraqitet kërkesa.

Sipas autoriteteve ukrainase, operacioni u zhvillua më 22 nëntor dhe kishte në shënjestër objektiva ushtarake ruse. Presidenti Volodymyr Zelensky dhe Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës njoftuan se shtatë dronë detarë ukrainas sulmuan bazën detare në Bengazi, ku u godit korveta ruse “Mercury” dhe anija e mallrave “Angara”.

Nga sulmi, Ushtria Kombëtare Libiane raportoi vdekjen e dy oficerëve të saj detarë, al-Taher Abdullah al-Sadiq dhe komandantit lejtnant Ali Mohammed al-Said, ndërsa burime mjekësore bënë të ditur se dhjetë shtetas rusë dhe libianë mbetën të plagosur.

Më 26 nëntor, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm në detyrë të qeverisë në Tripoli, al-Taher Salem al-Baour. Sipas Kievit, Ukraina shprehu keqardhje për pasojat e padëshiruara të operacionit dhe theksoi se objektiv i veprimeve ushtarake ishin vetëm forcat ruse.

“Ne nuk kemi ndërmend ta zgjerojmë luftën e Rusisë kundër Ukrainës në Libi apo në ndonjë vend tjetër”, thuhet në qëndrimin e autoriteteve ukrainase.

Ngjarja ka thelluar tensionet politike në Libi, ku administrata lindore e lidhur me gjeneralin Khalifa Haftar dhe autoritetet në Tripoli kanë reaguar veçmas ndaj sulmit. Më herët, Këshilli Presidencial në Tripoli e cilësoi sulmin si një “deklaratë lufte” dhe paralajmëroi se do t’i drejtohej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Deri më tani, qeveria e Libisë lindore nuk ka sqaruar procedurën konkrete që do të ndjekë për të kërkuar kompensimin nga Ukraina.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme