Protesta e 28 Nëntorit në Tiranë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. Gjatë tubimit, policia përdori gaz lotsjellës, autobotë me ujë me presion dhe plumba gome, ndërsa protestuesit hodhën molotovë drejt efektivëve dhe mjeteve të policisë.
Një prej autobotëve u përfshi për pak çaste nga flakët, pasi një molotov shpërtheu pranë gomave të tij, por zjarri u shua shpejt pa shkaktuar dëme në mjet.

Gjatë protestës u raportuan gjithashtu incidente me qytetarë dhe protestues.
Një 20-vjeçar u godit me plumb gome në kokë, ndërsa Partia e Lirisë paralajmëroi kallëzim penal.
Në pamjet e publikuara shfaqen efektivë që tërheqin një protestuese prej flokësh dhe ndjekin protestuesit.
Një qytetare iu drejtua një oficeri policie ,“Je krenar që i arreston e i rreh?”.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 48 persona morën ndihmë mjekësore pas incidenteve. Mes tyre kishte efektivë policie, protestues, gazetarë, punonjës sigurie, kalimtarë dhe një deputet. Pesë persona vijojnë të jenë të shtruar në Spitalin e Traumës.