Harrojeni televizorin e fiksuar në mur: Ky mbajtës i pazakontë po bëhet hit dhe po e ndryshon pamjen e dhomës së ndenjës
Një zgjidhje më fleksibile, më estetike dhe më praktike po ia ndryshon rolin televizorit në shtëpi
Për dekada me radhë, rregulli pothuajse i pashkruar në rregullimin e dhomës së ndenjës ka qenë i qartë: televizori duhet të jetë sa më i madh, i vendosur në murin kryesor, ndërsa e gjithë mobilia tjetër të orientohet drejt ekranit.
Divani, kolltukët dhe komodat zakonisht i përshtateshin pozitës së tij, prandaj televizori shpesh bëhej pika qendrore e të gjithë hapësirës.
Por duket se kjo mënyrë e organizimit të interierit po ndryshon gradualisht. Sipas numrit gjithnjë e më të madh të publikimeve në rrjetet sociale, shumë njerëz po heqin dorë nga komodat e mëdha të televizorit dhe nga shpimi i mureve, duke zgjedhur një alternativë më të thjeshtë dhe më fleksibile.
Bëhet fjalë për mbajtëset minimaliste të televizorit, zakonisht me konstruksion metalik dhe rrota, të cilat janë shndërruar në një trend të ri në dekorimin e shtëpisë.
Muret lirohen për dekor dhe jo vetëm për ekran
Një nga përparësitë më të mëdha të këtij trendi është mënyra se si e ndryshon tërësisht qasjen ndaj rregullimit të dhomës së ndenjës.
Kur televizori nuk është më i fiksuar në murin kryesor dhe nuk zë vend mbi një komodë të madhe, hapet mundësia për një organizim krejt tjetër të hapësirës.
Muret e liruara mund të shfrytëzohen sërish për piktura, rafte me libra, dekorime apo detaje të tjera që i japin shtëpisë ngrohtësi dhe karakter personal.
Në vend që i gjithë interieri të sillet rreth ekranit, theksi kthehet te estetika dhe atmosfera e këndshme e ambientit.
Edhe vetë mbajtëset nuk e prishin pamjen e hapësirës. Dizajni i tyre minimalist, forma e lehtë dhe pamja e thjeshtë i bëjnë të përshtatshme për stile të ndryshme të arredimit.
Madje, për nga forma, disa prej tyre kujtojnë kavaletat e piktorëve, prandaj mund të funksionojnë edhe si element dekorativ, jo vetëm si zgjidhje praktike, transmeton Telegrafi.
Një televizor për më shumë se një hapësirë
Përveç anës estetike, këta mbajtës sjellin edhe funksionalitet shumë më të madh.
Televizori nuk duhet të qëndrojë më në një vend të vetëm. Ai mund të afrohet te divani, të kthehet nga tavolina e ngrënies apo të zhvendoset në një dhomë tjetër, sipas nevojës.
Për shembull, gjatë përgatitjes së drekës mund ta afroni pranë kuzhinës ose tryezës së ngrënies, ndërsa për një mbrëmje filmi mjafton ta çoni në dhomën e gjumit.
Kjo zgjidhje është praktike edhe kur keni mysafirë. Nëse nuk dëshironi që ekrani të dominojë bisedën dhe atmosferën, thjesht mund ta zhvendosni në një qoshe të dhomës.
Kështu, dhoma e ndenjës mbetet hapësirë për shoqërim dhe relaks, jo vetëm për shikim televizori.
Më pak mobilie, më shumë hapësirë
Ky lloj organizimi është veçanërisht i dobishëm për banesat më të vogla, ku çdo metër katror ka rëndësi.
Një televizor i vetëm, i vendosur në mbajtëse me rrota, mund të shërbejë për disa hapësira njëkohësisht, duke e zvogëluar nevojën për pajisje shtesë.
Kjo nënkupton kursim financiar, por edhe më pak mobilie që zënë vend.
Në vend që çdo hapësirë të ketë televizorin dhe mobilien e vet, një pajisje e vetme mund t’i plotësojë nevojat e të gjithë familjes.
Ky trend tregon se po ndryshon edhe vetë koncepti i dhomës së ndenjës. Televizori nuk duhet të jetë më qendra absolute e shtëpisë, por një element fleksibil që i përshtatet stilit të jetesës dhe nevojave të përditshme. /Telegrafi/





























