Ndeshje e shitur? Nelson Hysa dorëzohet në raundin e dytë përballë turkut Agit Kabayel

Kryesore

Publikuar: 28/11/2026

Ndeshje e shitur? Nelson Hysa dorëzohet në raundin e dytë përballë turkut Agit Kabayel

Boksieri shqiptar Nelson Hysa është dorëzuar në raundin e dytë në përballjen me turkun me shtetësi gjermane Agit Kabayel, duke humbur një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së tij. Mënyra se si Hysa, pasi i dha disa goditje turkut, u tërhoq në raundin e dytë, ngre dyshime të forta për ndonjë pazar të mundshëm, edhe pse flamuri i bardhë u ngrit për shkak të një dëmtimi në shpatull. 

Dueli u zhvillua në “Merkur Spiel-Arena” në Duseldorf, me 55 mijë tifozë, ku Kabayel mbrojti për herë të parë titullin e kampionit botëror të peshave të rënda në versionin WBC.

Kabayel, mbajtësi i titullit, tregoi supermacinë që në raundin e parë ndaj Nelson Hysës. Megjithatë në disa episode Hysa arriti t’i përgjigjej. Kjo deri në raundin e dytë kur shqiptari pësoi një lëndim në dorën e majtë, ndërsa për disa sekonda dueloi vetëm me të djathtën. Kabayel e kuptoi momentin dhe pas disa grushteve Hysa u dorëzua. Ekipi i shqiptarit kërkoi mbylljen e ndeshjes që parashikonte 12 raunde.

Atmosfera para dhe gjatë ndeshjes ishte e jashtëzakonshme dhe e veshur me ngjyrat kuqezi. Edhe pse në shtëpinë e Kabayel, shumë shqiptarë kishin udhëtuar për të mbështetur Nelson Hysën. Ky i fundit zgjodhi të hynte me disa këngë patriotike në ring, duke shtuar dozën e adrenalinës që fatkeqësisht nuk mjaftoi.

Hysa (42 vjeç) ishte i pamposhtur me rekord 25-0 dhe 23 nokaute, dhe ky është shansi i parë për një titull botëror, por nuk ia doli. Në vitin 2024 ai u bë kampion evropian i WBO-së dhe arriti renditjen më të lartë të një boksieri shqiptar.