Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Murali i Nënës Terezë vendoset në anën tjetër të sheshit “Zahir Pajaziti”

Përparim Rama

Murali i Nënë Terezës është vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti”, por në një objekt tjetër, përballë atij ku u ndaluan punimet.


Përplasja mes Ramës dhe Policisë për vendosjen e muralit të Nënë Terezës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me zyrtarë të tjerë komunalë ende po vazhdojnë të presin para objektit, i cili është rrethuar nga Policia. Rama ka kërkuar urdhër në formë të shkruar nga Prokuroria që ndalon vendosjen e muralit.

Pamje nga vendngjarja:


Përplasja mes Ramës dhe Policisë për vendosjen e muralit të Nënë Terezës në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarë të tjerë komunalë janë përplasur me Policinë e Kosovës lidhur me vendosjen e muralit të Nënë Terezës në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë, në sheshin kryesor të kryeqytetit.

Në pamjet e publikuara dëgjohet komandanti i Policisë, Fatmir Balaj, duke i thënë Ramës se punimet po ndalen me urdhër të prokurorit.

Rama i kërkon atij që urdhrin ta paraqesë në formë të shkruar, ndërsa më pas u kërkon punëtorëve të vazhdojnë punën.

Pas kësaj, Balaj paralajmëron se kushdo që vazhdon punimet do të arrestohet.

“Me çfarë vendimi arrestoni njerëz?”, dëgjohet duke e pyetur Rama komandantin e Policisë.

Rama ka thënë se nëse s'ka vendim nga Prokuroria që ndalon punimet, atëherë do të vazhdohet me vendosjen e muralit. 

Ndërkohë, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, e akuzon Policinë se po përfshihet në çështje politike dhe se po merr urdhra nga Alban Krasniqi, këshilltar i ministres së Ekonomisë dhe bashkëshort i kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.

VIDEO:


Rama urdhëron vendosjen e muralit të Nënë Terezës në shesh: Nëse na ndalin ballafaqohemi me ta

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se punëtorët e kanë urdhrin për vendosjen e muralit të Nënë Terezës në shesh dhe se do të përballen me ata që tentojnë ta pengojnë realizimin e projektit.

Murali i Nënë Terezës është projektuar të vendoset në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë. Kjo ka marrë pëlqimin e Kuvendit Komunal të kryeqytetit. Gjatë ditës së djeshme, kjo ministri nuk lejoi të vendosej murali për siç thanë se Komuna ka dhënë pëlqim për ndërhyrje në një objekt që nuk menaxhohet nga ta dhe se këtë e ka bërë pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse.

Në një konferencë për media në vendin ku do të vendoset murali, Rama ka thënë se projekti ka marrë lejet e nevojshme nga institucionet komunale dhe ka kaluar të gjitha procedurat ligjore. Ai ka akuzuar institucionet e nivelit qendror për pengim të projekteve të kryeqytetit.

“Kjo është e papranueshme, është e patolerueshme. Pra kemi një proces diktatorial të kësaj qeverie që e kemi parë tash e sa vite bllokon rregullisht projektet e kryeqytetit, duke filluar me sheshin, me rrugën A, Jim Xhema, duke vazhduar me nënkalimin Agim Ramadani, me ishullin urban e me shumë e shumë projekte të tjera pra me të cilat jemi ballafaquar edhe bulevardin Xhorxh Bush, e tash vazhdojnë me bllokada të jashtëligjshme. Pra kush janë këta njerëz që lëshojnë urdhra kundër vullnetit të popullit, kundër vendimit të asamblesë, të cilët janë reprezentues të qytetarëve të kryeqytetit, të popullit tonë, e dikush nga lart qenka këtu që po jep urdhër me e ndal këtë projekt madhor për kryeqytetin. Punëtorët e kanë urdhin me vendos muralin, nëse vendosin me na ndal jashtëligjshëm do të ballafaqohemi me ta”, ka thënë ai.

Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka thënë se për realizimin e këtij projekti janë marrë pesë vendime zyrtare nga institucionet e nivelit lokal.

Ai ka theksuar se Komuna ka dhënë pëlqimet dhe lejet për vendosjen e muralit, ndërsa ka paralajmëruar prezantimin e dokumentacionit që, sipas tij, dëshmon se janë përmbushur procedurat e nevojshme.

Retkoceri ka rikujtuar se Komuna e Prishtinës është institucioni përgjegjës për administrimin e fasadave të objekteve në kryeqytet dhe dhënien e pëlqimeve për ndërhyrjet në to, në bazë të rregulloreve dhe legjislacionit në fuqi.

Vendoset murali i Nënë Terezës, në anën tjetër të sheshit

8 o. më parë / 28 nën 2026 16:13
Vendoset murali i Nënë Terezës, në anën tjetër të sheshit

Murali i Nënë Terezës është vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti”, por në një objekt tjetër, përballë atij ku u ndaluan punimet.

Kryetari Përparim Rama ka thënë se në këtë objekt murali do të qëndrojë përkohësisht deri sa të vendoset në vendin e planifikuar, tek objekti i Ministrisë së Ekonomisë.

Sot gjatë ditës, Rama dhe zyrtarë komunalë janë përplasur me Policinë e Kosovës në sheshin kryesor të kryeqytetit lidhur me vendosjen e muralit (mozaikut) 15 mijë eurosh të Nënë Terezës në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë, punime të cilat, siç u tha nga Policia, janë pezulluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit deri në një vendim të gjykatës.

Rama në anën tjetër thoshte se bëhet fjalë për bllokim politik.

Retkoceri: Mozaiku i Nënës Terezë vendoset sot

9 o. më parë / 28 nën 2026 15:49
Leutrim Retkoceri

Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka thënë se mozaiku i Nënës Terezë do të vendoste sot më 28 nëntor, pavarësisht se një gjë e tillë iu ndalua në shesh paradite.

“Mozaiku i Nënë Terezës vendoset sot më 28 Nëntor. Festa nuk ndalet në Prishtinë!” ka shkruar ai pa dhënë detaje të tjera.

E për mediat, ai ka thënë se mozaiku do të vendoset në sheshin "Zahir Pajaziti".

Sot gjatë ditës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarë komunalë janë përplasur me Policinë e Kosovës në sheshin kryesor të kryeqytetit lidhur me vendosjen e muralit (mozaikut) 15 mijë eurosh të Nënë Terezës në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë, punime të cilat, siç u tha nga Policia, janë pezulluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit deri në një vendim të gjykatës. 

Rama në anën tjetër thoshte se bëhet fjalë për bllokim politik.

Prokuroria ndalon punimet për vendosjen e muralit të Nënë Terezës në shesh

12 o. më parë / 28 nën 2026 12:29
Komandanti i Policisë, Fatmir Balaj dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Komandanti i Policisë, Fatmir Balaj dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Komandanti i Policisë, Fatmir Balaj, ia ka prezantuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, vendimin e Prokurorit të Shtetit për ndalimin e punimeve për vendosjen e muralit të Nënë Terezës në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë, deri në një vendim të gjykatës.

“E pranuam zyrtarisht vendimin prej Prokurorit të Shtetit që, deri në një vendim të gjykatës, të mos lejohen zhvillimet e punimeve për shkak të problematikave mes dy palëve, mes Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Komunës. Nuk më lejohet ta nxjerr këtë dokument jashtë pa autorizim. Mediat le t’i drejtohen Prokurorisë”, dëgjohet duke i thënë Balaj Ramës.

Kryetari i Prishtinës e ka kundërshtuar arsyetimin se në këtë rast bëhet fjalë për kontest mes dy palëve, duke pretenduar se objekti ku është planifikuar të vendoset murali është kompetencë e kryeqytetit dhe se nuk është në pronësi të ministrisë.

“Cilat dy palë? Ministria nuk është palë këtu. Prokurori paska marrë një vendim... një vendim që është marrë prej asamblistëve, me të gjitha lejet, me të gjitha të drejtat si qeverisje lokale, është bllokuar tash sepse ka kontest mes dy palëve. Pse ministria është palë? Ky objekt s’është pronë e ministrisë, nuk është asgjë në kompetencë të tyre, këto objekte janë kompetencë të kryeqytetit”, ka thënë Rama.

VIDEO:

Murali i Nënë Terezës është planifikuar të vendoset në objektin ku aktualisht ndodhet Ministria e Ekonomisë. Projekti ka marrë pëlqimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Megjithatë, gjatë së premtes, Ministria e Ekonomisë nuk lejoi vendosjen e muralit, me arsyetimin se Komuna kishte dhënë pëlqim për ndërhyrje në një objekt që nuk menaxhohet prej saj, pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse.

Komunës së Prishtinës ky projekt i ka kushtuar 15 mijë euro.

Rama: Nëse vendimi i Prokurorisë është negativ, punimet vazhdojnë deri në arrestim

12 o. më parë / 28 nën 2026 12:02
Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se punimet për vendosjen e muralit të Nënë Terezës do të vazhdojnë edhe nëse Prokuroria vendos kundër tyre.

Në një deklaratë për KosovaPress, Rama ka thënë se është në pritje të vendimit të kryeprokurorit lidhur me vazhdimin e punimeve.

Ai ka paralajmëruar se, në rast të një vendimi negativ, Komuna do të ndërmarrë veprime për t’i vazhduar punimet, pavarësisht paralajmërimeve për arrestim nga Policia. 

Tutje, Rama për mediat ka thënë se Qeveria po e shfrytëzon në mënyrë joligjore Policinë kundër vendimeve të popullit.

“Po e shihni çfarë po ndodh në vendin tonë. Kemi instalim të shtetit policor, ku Policia po përdoret në mënyrë të kundërligjshme, me urdhra nga lart, për ta ndalur një punë që është votuar nga asamblistët, të zgjedhur nga populli, dhe që është financuar prej tyre. Të gjitha lejet për instalimin e figurës së shenjtë të Nënë Terezës janë dhënë. Kjo qeveri i shfrytëzon mekanizmat e saj në mënyrë joligjore për ta bllokuar muralin e Nënë Terezës në sheshin “Nënë Tereza”. Çfarë mund ta quajmë këtë tjetër, përveçse instalim të shtetit policor, autokraci e diktaturë? Kjo po ndodh sot, më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit. Në vend që ta festojmë këtë mural të mrekullueshëm, që do të duhej të na bashkonte, kjo qeveri po e përdor Policinë në mënyrë joligjore kundër popullit dhe kundër vendimit të tij. Ja ku kemi ardhur si shoqëri”, ka thënë ai.

Rama po vazhdon të qëndrojë në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Situata është tensionuar gjatë paradites, pas përplasjes mes zyrtarëve komunalë dhe Policisë së Kosovës. Policia ka paralajmëruar se do të arrestojë personat që vazhdojnë punimet.

Murali i Nënë Terezës është projektuar të vendoset në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë. Kjo ka marrë pëlqimin e Kuvendit Komunal të kryeqytetit. Gjatë ditës së djeshme, kjo ministri nuk lejoi të vendosej murali për siç thanë se Komuna ka dhënë pëlqim për ndërhyrje në një objekt që nuk menaxhohet nga ta dhe se këtë e ka bërë pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse. 

Komunës i ka kushtuar 15 mijë euro ky projekt.

Autori i muralit të Nënë Terezës: Ajo nuk e meriton një trajtim të tillë

13 o. më parë / 28 nën 2026 11:52
Foto nga vendi ku është projektuar të vendoset murali i Nënë Terezës

Foto nga vendi ku është projektuar të vendoset murali i Nënë Terezës

Autori i muralit të Nënë Terezës, Don Dominik Kukeli, ka thënë se humanistja shqiptare nuk e meriton një trajtim të tillë, duke iu referuar përplasjes mes Komunës së Prishtinës, Policisë dhe Ministrisë së Ekonomisë lidhur me vendosjen e muralit.

Kukeli ka postuar edhe mozaikun për të cilin thotë se po bëhet kjo “tragji-komedi”. 

“NËNË TEREZA NUK E MERITON NJË TRAJTIM TË TILLË... nga askush... e aq më pak nga "gjaku" i saj. Ky është Mozaiku për të cilin është duke u bërë gjithë kjo tragji-komedi! (Foto jo profesionale)”, ka shkruar ai në Facebook.

Murali i Nënë Terezës është projektuar të vendoset në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë. Kjo ka marrë pëlqimin e Kuvendit Komunal të kryeqytetit. Gjatë ditës së djeshme, kjo ministri nuk lejoi të vendosej murali për siç thanë se Komuna ka dhënë pëlqim për ndërhyrje në një objekt që nuk menaxhohet nga ta dhe se këtë e ka bërë pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse. E gjatë ditës së sotme, ka pasur përplasjes mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama e zyrtarëve të tjerë komunalë me Policinë e Kosovës. Aktualisht, ende s’ka vendim se a do të vendoset murali apo jo. Në vendngjarje vazhdojnë të jenë të pranishëm zyrtarët komunalë e Policia.