Gjatë shtatë dekadave në fron, Mbretëresha Elizabeth II ndoqi një filozofi të veçantë për rolin e Kurorës britanike, duke ruajtur distancën me publikun dhe misterin që rrethonte institucionin e monarkisë.

Megjithatë, djali i saj, Mbreti Charles III, dhe nipi i saj, Princi William, duket se po zgjedhin një rrugë tjetër, duke iu përshtatur kërkesave të kohëve moderne.

Siç raporton revista britanike “Hello!”, filozofia e monarkes së ndjerë ishte frymëzuar nga libri “Kushtetuta Angleze”, i shkruar në vitin 1867 nga Walter Bagehot, gjatë mbretërimit të Mbretëreshës Viktoria.

Në këtë vepër theksohej se monarkia duhet të frymëzojë respekt dhe nderim, elemente që rrezikojnë të humbasin nëse institucioni ekspozohet së tepërmi ndaj publikut.

“Misteri është jeta e saj. Nuk duhet të hedhim shumë dritë mbi magjinë”, shkruante Bagehot.

Sipas biografes së familjes mbretërore, Katie Nicholl, Elizabeth II kishte aftësinë e rrallë për të qenë mjaftueshëm e pranishme në publik, pa cenuar misterin dhe madhështinë e institucionit që përfaqësonte.

Nicholl e përshkruan këtë si një ekuilibër jashtëzakonisht të vështirë, të cilin mbretëresha arriti ta ruante përgjatë mbretërimit të saj 70-vjeçar, duke shmangur intervistat tradicionale me median.
Charles dhe William, një strategji e re komunikimi
Ndryshe nga Elizabeth II, Mbreti Charles dhe Princi William po ndjekin një strategji komunikimi më të hapur, duke shtuar paraqitjet në media dhe duke ndarë me publikun edhe detaje nga jeta personale.

Gjatë muajve të fundit, Princi i Uellsit është shfaqur në emisionin e njohur televiziv “The Graham Norton Show”, ndërsa ka qenë edhe redaktor i ftuar i një numri të revistës “Country Life”.

Në këtë revistë, William ka ndarë detaje nga jeta familjare me bashkëshorten e tij, Kate Middleton, e cila gjithashtu ka dhënë një intervistë për të njëjtin numër.

Nga ana tjetër, Mbreti Charles ka marrë pjesë së fundmi në emisionin radiofonik “Rocket Hour” të artistit të njohur britanik Elton John.

Sipas Katie Nicholl, këto paraqitje nuk synojnë rritjen e famës personale të anëtarëve të familjes mbretërore, por shërbejnë për qëllime specifike.

Megjithatë, biografja paralajmëron se, ndërsa monarkia duhet të jetë moderne dhe më pranë qytetarëve, ekspozimi i tepërt mund të cenojë imazhin e saj.
Rreziku i humbjes së misterit mbretëror
Sipas Nicholl, sfida më e madhe për brezin e ri të monarkisë britanike është të ruajë një aureolë misteri, pa e ngritur së tepërmi atë që ajo e cilëson si “velin e madhështisë”.

Nëse publiku arrin të dijë gjithçka për jetën e anëtarëve të familjes mbretërore, sipas biografes, institucioni rrezikon të humbasë sharmin dhe fuqinë e tij simbolike.

Ajo argumenton se monarkia nuk duhet të duket aq e zakonshme sa të humbasë elementet që e dallojnë nga personazhet e famshme, yjet e sportit dhe figurat e tjera publike.

Për Charles dhe William, sfida mbetet gjetja e ekuilibrit mes modernizimit të Kurorës, afrimit me qytetarët dhe ruajtjes së traditës shekullore të monarkisë britanike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb