Vlora feston 114-vjetorin e Pavarësisë me një koncert madhështor në Sheshin e Flamurit. Emra të njohur të muzikës shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova janë ngjitur në skenë, duke dhuruar një mbrëmje të veçantë me këngë, emocione dhe atmosferë festive. Qindra qytetarë kanë mbushur zemrën e qytetit të Pavarësisë, duke festuar së bashku një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare.

Të shumtë kanë qenë qytetarët vlonjatë, por edhe vizitorë nga Kosova, trevat e tjera shqiptare dhe diaspora, të cilët kanë zgjedhur Vlorën për të festuar 28 Nëntorin. Përmes interpretimeve të artistëve të njohur, Sheshi i Flamurit është kthyer në një skenë të madhe feste, ku muzika dhe entuziazmi kanë shoqëruar të pranishmit gjatë gjithë mbrëmjes.

Atmosferën festive e kanë ndezur grupi i Orkestrës dhe këngëtarja Era Rusi, të cilët janë pritur me duartrokitje nga publiku.

Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, ka përcjellë urimet për festat e Nëntorit për të gjithë vlonjatët dhe shqiptarët, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj date historike. Më pas, ajo ka ftuar në skenë këngëtaren e njohur Aurela Gaçe.

Gjithçka ka nisur me interpretimin e Himnit Kombëtar, ndërsa më pas këngëtarja  Aurela Gaçe  ka ngritur peshë atmosferën në Sheshin e Flamurit. Me energjinë dhe interpretimet e saj, këngëtarja ka bërë që publiku t’i bashkohet festës përmes këngës, duartrokitjeve dhe vallëzimit.

Koncerti festiv ka vijuar deri pranë mesnatës, ndërsa qytetarët kanë kënduar dhe vallëzuar së bashku, duke e kthyer këtë mbrëmje në një tjetër moment të veçantë të festimeve për 114-vjetorin e Pavarësisë. Një atmosferë që ka dëshmuar edhe një herë se Vlora mbetet pikëtakimi i shqiptarëve në këtë ditë të shënuar kombëtare.