Një ditë pas protestës kombëtare të 28 Nëntorit, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, qytetarët dhe studentët pritet të mblidhen sërish sot në Tiranë, për të vijuar protestën kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 10:00, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit. Lëvizja kërkon gjithashtu krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Protesta e sotme vjen pas manifestimit të zhvilluar në Ditën e Pavarësisë, ku mijëra qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit, si dhe shqiptarë nga diaspora, iu bashkuan thirrjes për të protestuar.
Gjatë tubimit të së premtes, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, me flamuj kombëtarë, pankarta dhe banderola. Situata u tensionua kur policia nuk lejoi grumbullimin e protestuesve përpara godinës së qeverisë.
Efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit u kundërpërgjigjën me gurë dhe molotovë. Përplasjet vijuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas u zhvendosën në sheshin “Skënderbej”, ku policia përdori edhe dronë për hedhjen e gazit lotsjellës.
Në përfundim të protestës, policia ndërhyri edhe ndaj qytetarëve që kishin mbetur në sheshin “Skënderbej”, duke kryer shoqërime.
Bilanci i protestës së 28 Nëntorit ishte 48 persona të lënduar, mes tyre punonjës policie, protestues dhe gazetarë.
Protesta u pasqyrua edhe nga mediat ndërkombëtare, ndërsa kërkesat e qytetarëve lidhen me akuzat për korrupsion, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik.
Me tubimin e sotëm pritet të vijojë mobilizimi qytetar në kryeqytet, pas përshkallëzimit të një dite më parë. Protestuesit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në përmbushjen e kërkesës së tyre kryesore për dorëheqjen e kryeministrit.