BIRN: Gjyqi ndaj Veliajt në ngërç, tre në katër seanca shtyhen

Gjyqi ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj po ecën ngadalë: nga 21 seanca të planifikuara, 16 janë shtyrë. Pas më shumë se 21 muajsh në paraburgim, vonesat kanë ngritur pyetje si për veprimet e mbrojtjes, ashtu edhe për aftësinë e sistemit gjyqësor për ta çuar procesin përpara.

Në seancën e 24 nëntorit, Veliaj kërkoi sërish shtyrjen e gjykimit, këtë herë duke iu referuar problemeve të tij shëndetësore. Gjykata e Posaçme nuk e pranoi kërkesën dhe e vazhdoi procesin. Sipas saj, vendimmarrja për ndërhyrjen kirurgjikale të kërkuar prej Veliajt dhe për spitalin ku ajo do të kryhej i takonte Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Të lidhura

None found

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, nën akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Procesi i tij, një ndër çështjet më të bujshme të së ashtuquajturës “drejtësi e re”, ka regjistruar edhe 11 shtyrje në fazën paraprake. Kjo fazë zgjati pesë muaj, megjithëse Kodi i Procedurës Penale i jep gjykatës 30 ditë për të vendosur mbi kërkesën e prokurorisë për dërgimin e çështjes në gjyq.

Numri i shtyrjeve shihet si shqetësues nga juristët, por ata nuk kanë të njëjtin vlerësim për shkaqet e vonesave dhe për interesin që mund të ketë mbrojtja në zgjatjen e gjykimit. Ish-prokurori dhe avokati Eugen Beçi dallon në ecurinë e seancave shenja të një strategjie për të fituar kohë, të cilën, sipas tij, e ndihmojnë edhe dobësitë e sistemit gjyqësor.

Beçi i tha BIRN se shumica e shtyrjeve lidhen me kërkesa procedurale ose me mungesën e avokatëve dhe të vetë të pandehurit. Për të, kjo tregon një përpjekje për ta vonuar procesin dhe për të zbehur provat.

Avokatët Dorian Matlija dhe Ledio Braho mbajnë një qëndrim më të rezervuar: sipas tyre, një seancë e shtyrë nuk dëshmon vetvetiu abuzim me të drejtat procedurale. Përgjegjësia, thonë ata, duhet shqyrtuar veçmas për secilin rast. Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e shkrimit.

Vonesat që nga seanca paraprake

Erion Veliaj është mes politikanëve të nivelit të lartë në Shqipëri që po gjykohen për vepra penale të korrupsionit. Prokuroria e Posaçme e akuzon për nëntë raste korrupsioni pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dhe një rreth biznesmenësh.

Sipas prokurorisë, Veliaj dhe Xoxa krijuan një skemë përfitimesh të paligjshme përmes kompanive dhe organizatave jofitimprurëse. Akuza pretendon se ata morën para dhe pasuri nga biznesmenë të cilëve Bashkia e Tiranës u jepte kontrata publike dhe leje ndërtimi.

Veliaj i mohon akuzat. Ai ka kundërshtuar ligjshmërinë e hetimit dhe të masës së arrestit, si dhe ka pretenduar se pengesat për t’u njohur me dosjen hetimore i kanë cenuar të drejtën e mbrojtjes.

Shtyrjet filluan me seancat paraprake në shtator 2025. Mes arsyeve ishin mungesa e avokatëve, ndryshimi i mbrojtjes së Veliajt dhe kërkesat për më shumë kohë për përgatitje. Mbrojtja deklaroi se Veliajt nuk i ishte dhënë mundësia të njihej me materialet voluminoze të dosjes. Më 9 shkurt 2026, 152 ditë pasi dosja ishte dorëzuar në gjykatë, gjyqtarja e seancës paraprake Etleva Deda vendosi kalimin e çështjes në gjykim në themel.

Dorian Matlija i tha BIRN se tejkalimi i afatit ligjor për seancën paraprake ndodh edhe në çështje të tjera të Gjykatës së Posaçme. Sipas tij, parimi i gjykimit të pandërprerë nuk zbatohet në praktikë dhe seancat paraprake shpesh shtrihen për muaj. Ai e lidh këtë si me sjelljen e mbrojtjes, ashtu edhe me administrimin e procesit nga prokuroria e gjykata, problemet e njoftimit, vështirësitë e avokatëve për t’u konsultuar me klientët në paraburgim dhe mbingarkesën e sistemit. Në këto kushte, tha Matlija, afati 30-ditor mbetet një parashikim ligjor pa zbatim real.

As nisja e gjykimit në themel nuk e ndryshoi ndjeshëm ritmin. Nga 16 seancat e shtyra në këtë fazë, gjashtë u ndikuan nga bojkoti i avokatëve. Një tjetër u shty sepse Drejtoria e Burgjeve nuk e kishte njoftuar dhe shoqëruar Veliajn. Nëntë shtyrjet e mbetura lidhen kryesisht me mungesën e të pandehurve ose të avokatëve dhe me kërkesa procedurale të mbrojtjes.

Pengesa ka sjellë edhe transferimi kontrovers i Veliajt në burgun e Fierit. Plarent Ndreca ka pretenduar se transferimi ia ka vështirësuar takimet me klientin.

Ledio Braho i tha BIRN se përqindja e lartë e seancave të shtyra ngre shqetësim për procesin e rregullt ligjor, por shifrat, të marra më vete, nuk tregojnë kush mban përgjegjësi. Sipas tij, duhen vlerësuar kohëzgjatja e përgjithshme e gjykimit, kompleksiteti i çështjes, arsyeja e çdo shtyrjeje dhe masat që ka marrë gjykata për vazhdimin e procesit. Ai thekson se mosshoqërimi i të pandehurit nga autoritetet e burgjeve dhe bojkoti i përgjithshëm i vendosur nga Dhoma e Avokatisë nuk mund t’i atribuohen automatikisht atij.

Pezullimi i afateve të paraburgimit

Kodi i Procedurës Penale parashikon pezullimin e afateve të paraburgimit si mjet për të penguar që i pandehuri të përfitojë nga vonesat e pajustifikuara të gjykimit. Sipas nenit 265, afatet pezullohen kur shtyrja vjen nga veprime ose kërkesa të padrejta të të pandehurit apo mbrojtësit, me përjashtim të kërkesave për marrjen e provave. Pezullimi zbatohet edhe kur mungesa e avokatëve i lë të pandehurit pa mbrojtje.

Gjykata e Posaçme ka vendosur pezullimin e këtyre afateve për disa seanca të shtyra në çështjen e Veliajt, përfshirë seanca gjatë bojkotit të avokatëve. Kështu, edhe pse ai vazhdon të qëndrojë në burg, periudhat e pezulluara me vendim gjykate nuk llogariten në afatet ligjore të paraburgimit.

Pa shtyrjet e procesit dhe vendimet për pezullimin e afateve, masa e paraburgimit ndaj Veliajt do ta kishte humbur fuqinë më 10 shtator 2026, një vit pas dorëzimit të dosjes në gjykatë. Pezullimet e përsëritura e kanë zhvendosur këtë datë. Veliaj ka ankimuar disa prej vendimeve të gjykatës për pezullimin e afateve.

Juristët vërejnë se, edhe kur afatet pezullohen, një i pandehur mund të ketë interesa të tjera juridike ose taktike për një proces më të gjatë. Eugen Beçi përmend mundësinë që koha të dobësojë provat dhe kujtesën e dëshmitarëve, pritjen e ndryshimeve të mundshme ligjore dhe rënien e presionit publik ndaj të pandehurit.

Në vlerësimin e Beçit, çështja pasqyron një bllokim me dy burime: gjasat anojnë më shumë nga një taktikë zvarritëse e mbrojtjes, por kjo favorizohet nga ngadalësia e sistemit.

Matlija thotë se pezullimi i afateve ia heq të pandehurit mundësinë të fitojë lirinë vetëm për shkak të përfundimit të tyre, por zgjatja e procesit mund të sjellë përfitime të tërthorta. Me kalimin e kohës, sipas tij, nevojat për sigurim mund të dobësohen dhe vazhdimi i paraburgimit të bëhet më i vështirë për t’u arsyetuar.

Megjithatë, Matlija paralajmëron se nuk mund të dallohet gjithmonë një taktikë vonese nga ushtrimi i ligjshëm i të drejtave procedurale. Rrëzimi i një kërkese, tha ai, nuk do të thotë domosdoshmërisht se ajo ishte abuzive. Mbrojtja mund të synojë kundërshtimin e çdo veprimi të akuzës, jo fitimin e kohës; në shumë raste, vonesa është pasojë dhe jo qëllim.

Roli i gjykatës

Sipas juristëve, proceset e zgjatura në Gjykatën e Posaçme nuk kufizohen te çështja “Veliaj”. Ata bien dakord se pezullimi i afateve të paraburgimit, ndonëse mund të pengojë përfitimin nga shtyrje të pajustifikuara që i atribuohen një pale, nuk e bën vetë gjykimin më të shpejtë.

Braho vlerëson se gjykata duhet të hartojë një kalendar të realizueshëm seancash, të kontrollojë paraprakisht nëse të pandehurit janë njoftuar dhe mund të shoqërohen, si dhe të marrë masa për t’u garantuar atyre përfaqësimin.

Matlija kërkon veprim më të hershëm: dosja hetimore t’u komunikohet palëve e plotë dhe në kohë, mbrojtjes t’i jepet koha e nevojshme për përgatitje dhe koordinimi mes gjykatës e palëve të përmirësohet. Sipas tij, ajo që duket si strategji vonese e mbrojtjes mund të rrjedhë edhe nga mangësi procedurale të prokurorisë ose gjykatës.

Për juristët, ndër rreziqet më të mëdha të ndërthurjes së gjykimit të zgjatur me pezullime të përsëritura të afateve është që paraburgimi të mos funksionojë më si masë sigurimi. Beçi paralajmëron se një paraburgim i zgjatur pa fund rrezikon të shndërrohet në dënim përpara vendimit të gjykatës.


Shtuar më 29.11.2026 09:04

Quantcast
grandpashabet güncel girişBursa Escortgrandpashabet güncel girişjojobetgrandpashabet girişgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetdeneme bonusucasinofast güncel girişmarsbahisonline notarystarzbetgiftcardmall/mygiftbetkomjojobetjojobetgrandpashabetTürk İfşajojobet güncel girişjojobetjojobetbahis sitelerigrandpashabetgrandpashabetjojobet girişSahabet girişjojobetjojobetForum zamparalargrandpashabetgrandpashabet kıbrısCasibomCasibomCasibom GirişCasibom Girişjojobet girişjojobetjojobetmarsbahismarsbahisgrandpashabetblack jack insurancejojobetjojobet girişjojobetjojobetjojobettaraftarium24maç izlecanlı maç izlejojobetjojobet