Spanja voton sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku mbi 38 milionë qytetarë kanë të drejtë vote. Kryeministri socialist Pedro Sanchez, në pushtet që prej vitit 2018, kërkon të vazhdojë qeverisjen përballë së djathtës.

Deri në momentin e fundit, Pedro Sanchez besonte se mund ta çonte deri në fund mandatin në vitin 2027, por më 5 tetor u detyrua të shpërndante parlamentin dhe të shpallte zgjedhjet e parakohshme për 29 nëntorin.

“Duhet të mobilizohemi dhe të sigurohemi që parlamenti të na japë një shumicë progresiste shumë më të gjerë, me të cilën të mundim elitat”, deklaroi kryeministri.

Kriza qeveritare shpërtheu pasi parlamenti rrëzoi dy dekretet e propozuara nga shumica qeverisëse PSOE-Sumar për krizën e strehimit. Dekretet erdhën pas protestave për të drejtën e strehimit dhe dëbimit nga banesa të 87-vjeçares Maricarmen Abascal, e cila ndërroi jetë në spital më 7 tetor.

Pakënaqësia ishte shtuar edhe për shkak të krizës së emigracionit në Ceuta dhe akuzave për korrupsion që përfshinë disa drejtues të Partisë Socialiste, si dhe bashkëshorten e Sanchez-it, Begona Gomez, e cila është dërguar në gjyq për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe përvetësim të paligjshëm.

Kush janë kandidatët?

Në zgjedhjet e kësaj të diele kanë të drejtë vote 38,73 milionë spanjollë. Prej tyre, 2,77 milionë jetojnë jashtë Spanjës, sipas të dhënave të Zyrës Zgjedhore të Institutit Kombëtar të Statistikave. Mbi 1,6 milionë të rinj kanë mundësi të votojnë për herë të parë.

Spanjollët do të zgjedhin 350 anëtarët e Kongresit, dhomës së ulët të parlamentit, dhe 209 senatorë, një më shumë se në vitin 2023.

Për Kongresin, listat janë të mbyllura dhe qytetarët votojnë vetëm për një parti. Për të siguruar shumicën absolute nevojiten 176 vota në Kongres. Nëse kjo shumicë nuk arrihet në votimin e parë për zgjedhjen e kryeministrit, në votimin e dytë mjafton që votat pro të jenë më të shumta se ato kundër. Për Senatin, listat janë të hapura dhe qytetarët votojnë për kandidatët individualë.

Në zgjedhjet e vitit 2023, Partia Popullore siguroi 137 mandate në Kongres, socialistët e PSOE-së 121, Vox 33, Sumar 31, Junts dhe ERC nga 7, EH Bildu 6, PNV 5, ndërsa BNG, CC dhe UPN nga një mandat.

Në Senat, Partia Popullore siguroi 120 vende, PSOE 72, IPLI 7, PNV 4, ndërsa AHI, ASG, Junts, PSOE-Sumar dhe UPN nga një vend. Sanchez, i cili erdhi në pushtet në vitin 2018 pas mocionit të mosbesimit ndaj ish-kryeministrit Mariano Rajoy, kandidon sërish për postin e kryeministrit në emër të Partisë Socialiste.

Përballë tij janë Alberto Nunez Feijoo i Partisë Popullore, Santiago Abascal i Vox-it dhe ish-ministrja, aktualisht eurodeputete, Irene Montero e Podemos-it. Risia e këtyre zgjedhjeve është Frente Amplio, koalicioni i forcave të majta progresiste, i drejtuar nga ish-kryebashkiakja e Barcelonës, Ada Colau.

Koalicioni bashkon 12 parti: Alternativa Republicana, Movimiento Sumar, ku bën pjesë ministrja e Punës Yolanda Diaz, Izquierda Unida, Mas Madrid, Catalunya en Comu, Batzarre, Iniciativa del Pueblo Andaluz, Somos Asturies, Recortes Cero, Verdes Equo, Chunta Aragonesista dhe Izquierda Asturiana.

Çfarë tregojnë sondazhet e fundit?

Për herë të parë në zgjedhje garon edhe eurodeputeti Luis Perez Fernandez, i njohur si Alvise Perez, ish-anëtar i Ciudadanos dhe themelues i partisë SALF, i cili fitoi popullaritet në rrjetet sociale.

Në garë janë gjithashtu Miriam Gonzalez e partisë së re Democracia 21, që synon të zërë hapësirën e lënë nga Ciudadanos, dhe Asier Esparza, kandidati i Partisë për Mbrojtjen e Kafshëve dhe Mjedisit (PACMA), e cila garon e vetme.

Sipas sondazhit të fundit të realizuar nga 40dB për El Pais dhe Cadena Ser, Partia Popullore kuotohet me 31,8% të votave, ndërsa socialistët e Sanchez-it me 30,9%. Vox kuotohet me 17,3%, ndërsa koalicioni Frente Amplio me 3,9%.

Kur mbyllet votimi dhe kur priten rezultatet?

Qendrat e votimit hapen në orën 09:00 dhe mbyllen në orën 20:00 në Spanjën kontinentale dhe në Ishujt Balearikë. Në Ishujt Kanarie, për shkak të ndryshimit të orës, votimi përfundon në orën 21:00 sipas orës së Spanjës kontinentale.

Rreth orës 23:00 mund të ketë një vlerësim paraprak se kush i ka fituar zgjedhjet, ndërsa më 3 dhjetor komisionet zgjedhore do të shpallin rezultatet përfundimtare.

Pas formimit të grupeve parlamentare, drejtuesit e partive do të zhvillojnë konsultime me mbretin në Pallatin Zarzuela. Mbreti do të propozojë kandidatin për kryeministër, i cili duhet të sigurojë mbështetjen e Kongresit për të drejtuar qeverinë e re.

Lajm në përditësim