Një operacion policor i koduar “Distribution of Elements” është finalizuar në Tiranë, në vijim të hetimeve për aktet e dhunës gjatë protestës së 28 nëntorit.
Policia ka arrestuar një 29-vjeçare dhe ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë, të dyshuar se siguronin dhe shpërndanin sende të kundërligjshme për pjesëmarrësit në tubim, me qëllim përdorimin e tyre në akte të dhunshme ndaj efektivëve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.
Bëhet e ditur se në prangat e policisë së Tiranës ka përfunduar shtetasja Fatime Paja.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 59 tuba metalikë dhe një sasi tjetër sendesh. Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “DISTRIBUTION OF ELEMENTS”.
Siguronin dhe furnizonin me sende të kundërligjshme pjesëmarrësit në protestën e zhvilluar dje, me qëllim përdorimin e tyre për kryerjen e akteve të dhunshme, vihet në pranga një shtetase dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Sekuestrohen 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 59 tuba metalikë, kapsolla, maska kundragaz dhe sende të tjera.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për sigurimin dhe shpërndarjen e sendeve të kundërligjshme, me qëllim përdorimin e tyre gjatë protestës së datës 28 nëntor, finalizoi operacionin policor të koduar “DISTRIBUTION OF ELEMENTS”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasja F. P., 29 vjeçe, e cila u lokalizua në rrugën “Qemal Stafa”, në një automjet tip “Fiat”.
Nga kontrolli i automjetit u gjetën dhe u sekuestruan 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 17 kapsolla, 59 tuba metalikë, 2 maska kundragaz, veshje të ndryshme, doreza, maska, kapele, 2 aparate celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 29-vjeçarja, në bashkëpunim me 2 shtetasit e tjerë, I. M., 28 vjeç dhe R. S., 39 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim, siguronin dhe shpërndanin sende të kundërligjshme, për t’ua vënë në dispozicion pjesëmarrësve në protestë, me qëllim përdorimin e tyre në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel