Në vitin 1994, kreu i Partisë Popullore, José María Aznar, u akuzua për mungesë respekti pasi iu drejtua kryeministrit të atëhershëm socialist me fjalët “Largohuni, zoti González”, gjatë një debati në Kongresin e Deputetëve. Të premten, në mitingun përmbyllës të Vox-it, Santiago Abascal e quajti kryeministrin aktual socialist, Pedro Sánchez, “kriminel”, “maskara” dhe “psikopat”, ndërsa 10 mijë mbështetësit që kishin mbushur arenën Plaza de Toros në Valencia brohorisnin “Sánchez, bir k…”. Mirë se vini në epokën e Fyerjekracisë.
Fyerjet dhe vulgariteti nuk janë risi në politikën spanjolle. Nga komenti për “mbretëreshën nënë”, drejtuar Felipe Gonzálezit më 1983, deri te “pederasti” i Alfonso Guerrës më 2003, politikanët e kanë përshtatur gjuhën e tyre me kohën dhe me median. Sot, megjithatë, kufiri i fyerjes kapërcehet gjithnjë e më shpesh. Fyerja është normalizuar. Dhe harrohet mësimi i përhershëm i Katon Censorit, Vir bonus dicendi peritus, njeri me virtyt dhe i zoti në artin e fjalës. Sipas tij, politikani duhet të jetë një orator i aftë (dicendi peritus) dhe, mbi të gjitha, një qytetar me integritet e me moral të drejtë (vir bonus). Në Spanjë dhe gjetkë, gjërat kanë ndryshuar. Retorika ia ka lënë vendin fyerjes, ndërsa morali britmave dhe sloganeve.
Spanja nuk kishte parë kurrë një fushatë zgjedhore kaq të ashpër që në fillim. Për gjuhën e fortë, vendin e parë e zë Abascal, i cili të premten në mbrëmje la mënjanë moderimin e pretenduar. “Na qeveris një mafie kriminale, një mafie që drejtohet nga një bos pa skrupuj, një gënjeshtar që s’njeh kufij. T’i thuash “sinvergüenza” (maskara) është pak”, tha ai mes thirrjeve dhe duartrokitjeve të mbështetësve, duke përsëritur epitetin me të cilin i ishte drejtuar Sánchezit në debatin e një dite më parë. Dhe e mbylli me thirrjen “Votoni me guxim, nxirrini vezoret dhe k…”. Hiqini kapelën.
Në përpjekje për të tërhequr votat e së djathtës ekstreme, edhe Alberto Núñez Feijóo, dikur i përmbajtur, e ka ulur në minimum nivelin e ligjërimit. Synimi për t’ia marrë Vox-it monopolin e indinjatës publike e ka shtyrë kryetarin e Partisë Popullore të garojë në një terren ku nuk ndihet në elementin e vet. Kështu rrëshqiti me atë shprehjen e dykuptimtë “Y usted, calladita” (“Dhe ju, gojën mbyllur!”), drejtuar kandidates së Frente Amplio-s, Ada Colau. Fillimisht e tregoi me gisht, pastaj vuri gishtin tregues te buzët, në shenjë heshtjeje. Pavarësisht si interpretohej, “keni heshtur” apo “heshtni”, ajo shprehje tregoi një mungesë respekti që vështirë t’i falet një politikani që synon të drejtojë vendin.
Sánchez tregoi shumë zotësi duke e kthyer situatën në favorin e tij dhe duke u paraqitur si mbrojtës i mirësjelljes dhe si viktimë e talljeve të kundërshtarëve. Kjo nisi kur ata i ngjitën nofkën përçmuese “Perro Sánchez” ose “Perrosanxe” (“Qeni Sánchez”), për ta diskredituar. Më pas, kryeministri e përdori fjalën “perro” në propagandën e tij në rrjetet sociale, me meme të ndryshme dhe disa video të realizuara me kujdes. E përdori madje edhe në Kongresin e Deputetëve, kur në shtator iu përgjigj drejtpërdrejt Abascalit me fjalët “Mund të jem qen, por unë s’kam zotërinj”. Edhe në debatin e fundit televiziv, një deklarate të kreut të Vox-it iu përgjigj me fjalët “Këtë kockë hidhi një qeni tjetër”.
Gazetari José María Izquierdo ka shkruar madje një libër, 300 fyerjet më të egra kundër Pedro Sánchezit, ku ka përzgjedhur epitetet që i janë drejtuar kryeministrit vitet e fundit. Më e stërholluara? “Skamnor mendor”. Po, pikërisht kështu./Corriere Della Sera