Dominique de Villepin, ish-kryeministri konservator që fitoi famë ndërkombëtare si fytyra e kundërshtimit francez ndaj pushtimit të Irakut në vitin 2003, të udhëhequr nga SHBA-ja, është rikthyer; këtë herë me synimin për të penguar ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme në Francë. Në një intervistë për agjencinë "The Associated Press", 73-vjeçari, aleat i hershëm i Presidentit Jacques Chirac, u shpreh se arsyeja kryesore e kandidimit të tij në zgjedhjet e vitit të ardhshëm është të parandalojë Marine Le Pen-in që të pasojë Emmanuel Macron-in. Në një vend të përçarë nga ndarje të thella dhe tensione sociale, de Villepin promovon pajtimin si një mjet për të mposhtur të djathtën ekstreme dhe për të shmangur rënien e Francës në kaos. "Është një rrezik i madh për republikën tonë. Është një rrezik i madh për demokracinë," tha ai gjatë një interviste të gjatë në selinë e fushatës së tij. "Mendoj se mënyra se si e djathta ekstreme veçon një pjesë të popullsisë, dhe mënyra se si ajo hap rrugën për ksenofobinë, racizmin dhe antisemitizmin, e justifikojnë betejën e madhe për të cilën po përgatitemi. Besoj se nëse Franca bie në duart e së djathtës ekstreme, atëherë do të bjerë e gjithë Evropa." Popullariteti i de Villepin u rrit ndjeshëm pasi ai mbajti një fjalim elokuent në Kombet e Bashkuara në vitin 2003, duke kundërshtuar planin e Presidentit amerikan George Ë. Bush për pushtimin e Irakut. Si ministër i Jashtëm, qëndrimi i tij kundër luftës mishëroi idealin francez të pavarësisë.