Presidenti Bajram Begaj, uroi sot shqiptarët për Ditën e Çlirimit, duke përkujtuar të rënët për lirinë e atdheut.

Kreu i Shtetit kreu homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të kombit dhe vendosi një kurorë me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”.

Në mesazhin e përcjellë për këtë ditë të shënuar, Presidenti Begaj theksoi, ndër të tjera, detyrimin e çdo brezi për nderimin e dëshmorëve dhe ruajtjen e amanetit të tyre, lirinë.

“Sot, ne nderojmë kujtimin e trimave që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë; bij dhe bija të këtij vendi, që në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë, zgjodhën të vendosnin lirinë e atdheut mbi jetën e tyre.
Sakrifica e tyre përbën një nga amanetet më të shenjta të historisë.
Ata janë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare.
Ne kemi detyrimin të nderojmë përjetësisht kujtimin e tyre, të mbajmë gjallë veprën e tyre, lirinë, dhe t’ua përcjellim këtë amanet brezave që vijnë. Gëzuar Ditën e Çlirimit, Shqipëri!” – shkroi Presidenti i Republikës në mesazhin e tij për ditën e çlirimit të Shqipërisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb