AKU gjobit “Redian Dobruna” e “Pronatyra Treg”, mbyll “Sybi Ametbeja” dhe bllokon misrin e “Besniku shpk”
🇬🇧 Read in EnglishMbi 88 ton produkte ushqimore janë bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit gjatë kontrolleve të ushtruara në datat 26 dhe 27 nëntor në disa qarqe të vendit. Inspektimet kanë përfunduar gjithashtu me dy gjoba në vlerën totale prej 400 mijë lekësh dhe ndërprerjen e aktivitetit të një subjekti në Berat.
Sipas njoftimit të AKU-së, gjatë kontrolleve janë vendosur gjithsej katër masa administrative me paralajmërim dhe dy gjoba ndaj subjekteve që kanë rezultuar me shkelje të kërkesave ligjore për sigurinë ushqimore.
Subjekti “Redian Dobruna” është gjobitur me 100 mijë lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, ndërsa “Pronatyra Treg” është ndëshkuar me 300 mijë lekë për hedhjen në treg të ushqimeve të pasigurta.
63 ton produkte bllokohen në Berat, ndërpritet aktiviteti i biznesit
Një nga rastet më të mëdha është konstatuar në qarkun e Beratit, ku inspektorët e AKU-së, në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik, kanë ushtruar kontroll në subjektin “Sybi Ametbeja”, që merret me përpunimin dhe ambalazhimin e frutave.
Gjatë inspektimit janë bllokuar 11 produkte ushqimore, me një sasi totale prej 63.422 tonësh. Produktet do të mbeten të bllokuara deri në daljen e rezultateve të analizave laboratorike.
Përveç kësaj mase, për shkak të kushteve të papërshtatshme higjieno-sanitare të konstatuara në ambientet e subjektit, AKU ka vendosur ndërprerjen e aktivitetit deri në përmbushjen e kërkesave ligjore.
25.4 ton misër me aflatoksinë mbi normë në Durrës
Një tjetër rast është evidentuar në qarkun e Durrësit, ku është bllokuar një sasi prej 25.48 tonësh misër për ushqim kafshësh, në pronësi të subjektit “Besniku shpk”.
Sipas analizave laboratorike, në produkt është konstatuar përmbajtje e aflatoksinës B1 mbi kufirin e lejuar, çka ka sjellë bllokimin e menjëhershëm të tij.
Kontrollet janë pjesë e verifikimeve të AKU-së për garantimin e sigurisë ushqimore dhe respektimin e standardeve ligjore nga bizneset që operojnë në këtë sektor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



