Dronët ukrainas me rreze të gjatë veprimi kanë sulmuar gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës rajonin rus të Samarës dhe Republikën e Tatarstanit, duke goditur kompleksin kimik “Tolyattikauchuk” në qytetin Toliatti, si dhe zona industriale në Nizhnekamsk.

Sipas kanalit investigativ Astra, dronët goditën fabrikën “Tolyattikauchuk”, e cila që nga viti 2019 është pjesë e kompanisë ruse të naftës Tatneft. Ajo prodhon goma sintetike, monomerë, fraksione hidrokarburesh dhe aditivë për benzinë.


Gomat sintetike të specializuara që prodhohen në këtë fabrikë shërbejnë si lëndë të para të rëndësishme për prodhimin e karburantit të ngurtë raketor, i cili përdoret në raketat taktike dhe balistike të Rusisë.

Guvernatori i rajonit të Samarës, Vyacheslav Fedorishchev, konfirmoi se zona ishte sulmuar me dronë gjatë natës. Ai pretendoi se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar më shumë se 20 mjete ajrore pa pilot, ndërsa pranoi se edhe një herë ishin shënjestruar ndërmarrje industriale.

Ndërkohë, kanali Exilenova+ raportoi se gjatë së njëjtës natë ishin sulmuar edhe zonat industriale të Nizhnekamskut, në Republikën e Tatarstanit. Sulmet u raportuan në këtë qendër të rëndësishme të industrisë petrokimike, transmeton Telegrafi.

Kanali OSINT raportoi gjithashtu se gjatë valës së sulmeve mund të jetë shënjestruar edhe poligoni rus për testimin e raketave Kapustin Yar, në rajonin e Astrakhanit. Nga kjo bazë, forcat ruse kanë kryer testime të raketave me rreze të mesme veprimi dhe atyre balistike.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi në një njoftim të mëngjesit se sistemet e saj kundërajrore kishin kapur dhe shkatërruar 1,017 dronë ukrainas me krahë fiks gjatë natës. Sipas ministrisë, dronët u interceptuan në 17 rajone administrative ruse, në rajonin e Moskës, në Tatarstan dhe në Krimenë e pushtuar nga Rusia.

“The New York Times” raportoi se Ukraina ka intensifikuar në nivel rekord fushatën e sulmeve me rreze të gjatë, duke goditur 40 objekte të industrisë së naftës dhe të mbrojtjes në Rusi gjatë 50 ditëve të fundit. Sulmet, sipas gazetës, kanë shtrirë në një distancë prej më shumë se 2,400 kilometrash, ndërsa në ditët me intensitetin më të lartë janë lëshuar mbi 1,000 dronë.

Në fillim të kësaj jave, dronët ukrainas goditën edhe fabrikën e gomës sintetike Yefremov, në rajonin rus të Tulës, gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes, më 27 nëntor. Edhe kjo fabrikë prodhon polimere të specializuara që përdoren për karburantin e raketave balistike Iskander.


Më pas, forcat ukrainase goditën rafinerinë e naftës Novoshakhtinsk në rajonin e Rostovit dhe një qendër për përzierjen e naftës në Samara, gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës, më 28 nëntor.

Kompleksi petrokimik dhe rafineria në Nizhnekamsk ishte goditur më herët edhe më 15 nëntor. /Telegrafi/