Qytetarët rikthehen sërish në shesh, valëviten flamujt kuqezi
🇬🇧 Read in EnglishQytetarët kanë nisur të mblidhen në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku po zhvillohet protesta e radhës kombëtare, e paralajmëruar për ditën e sotme.
Pjesëmarrësit po i bashkohen gradualisht tubimit, ndërsa në shesh janë ngritur flamujt kuqezi. Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit pritet të marshojnë në drejtim të institucioneve shtetërore.
Protesta e 29 nëntorit vjen pas një serie tubimesh të zhvilluara gjatë javëve të fundit, ku qytetarë dhe aktivistë kanë kërkuar largimin e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama dhe ndryshimin e situatës politike në vend.
Tubimi i sotëm zhvillohet një ditë pas përplasjeve të dhunshme të regjistruara gjatë protestës së 28 Nëntorit. Qytetarët u nisën nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, por situata u tensionua pasi policia nuk lejoi grumbullimin e tyre përpara godinës së qeverisë.
Gjatë përplasjeve, efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa nga ana e protestuesve pati hedhje gurësh dhe molotovësh. Konfrontimet vijuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe u zhvendosën më pas në sheshin “Skënderbej”. Policia përdori edhe dronë për hedhjen e gazit lotsjellës.
Në përfundim të tubimit, efektivët ndërhynë edhe ndaj qytetarëve që kishin mbetur në shesh, duke kryer shoqërime.
Bilanci i protestës së 28 Nëntorit ishte 48 persona të lënduar, mes tyre punonjës policie, protestues dhe gazetarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



