Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për raportimin e investimeve në infrastrukturë, duke kërkuar publikimin e listës së 800 kilometrave të rrugëve që pretendohet se janë ndërtuar gjatë mandatit qeverisës.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka vënë në pikëpyetje pretendimet për kursimet dhe investimet e paraqitura në raportin e Qeverisë, duke përmendur projektin e rrugës Kijevë–Zahaq, hekurudhën Hani i Elezit–Leshak dhe mirëmbajtjen e rrugëve.


Ajo ka kritikuar paraqitjen e 150 milionë eurove si kursime nga anulimi i shpronësimeve për rrugën Kijevë–Zahaq.

“Po rruga ku është? Normal se ke kursy për rrugën që nuk e ke kry. Kur të kryhet dil trego sa ka kushtu”, ka shkruar Bajrami.

Sa i përket hekurudhës Hani i Elezit–Leshak, për të cilën në raport përmenden 200 milionë euro investime të parapara, Bajrami ka ironizuar këtë paraqitje si sukses të Qeverisë.

Deputetja ka kritikuar edhe mirëmbajtjen e rrugëve, duke përmendur 51.5 milionë euro për 19 kontrata, ndërsa ka thënë se gjendja në terren, veçanërisht gjatë reshjeve të borës, nuk përputhet me raportimet për mirëmbajtje.

“Rrugë me borë gjithandej, e në shumë prej tyre s’po shihet kush duke i pastruar”, ka deklaruar ajo.

Megjithatë, kritika kryesore e Bajramit lidhet me pretendimin e Qeverisë për 800 kilometra rrugë të ndërtuara gjatë mandatit.

Ajo i ka bërë thirrje Qeverisë që të publikojë të dhënat e detajuara për secilin projekt.

“Publikojeni listën, rrugë për rrugë, me kilometrat, datën e përfundimit dhe kush e ka financuar secilën”, ka kërkuar Bajrami.

Ajo ka theksuar se në këtë mënyrë do të bëhej e qartë se sa nga këto rrugë janë financuar nga Qeveria, sa janë bashkëfinancuar dhe sa janë ndërtuar nga komunat me buxhetet e tyre.

“800 km. Publikojeni listën!”, ka përfunduar deputetja e LDK-së. /Telegrafi/