Përfaqësuesja e Kosovës në Esports ka arritur një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar, duke u renditur e dyta në disiplinën Counter-Strike 2 (CS2) në Lojërat Mesdhetare të Esports – MEG26.

Përfaqësuesja e Kosovës e ka përmbyllur garën me medaljen e argjendtë, në një kompeticion ku morën pjesë 18 shtete nga rajoni i Mesdheut.


Kosova zhvilloi një rrugëtim të suksesshëm gjatë turneut, duke treguar paraqitje të nivelit të lartë dhe duke kaluar disa kundërshtarë deri në finalen e madhe.

Në fazën e grupeve, kombëtarja kosovare regjistroi fitore ndaj Shqipërisë, Tunizisë, Italisë dhe Portugalisë, duke siguruar kështu kualifikimin në fazën eliminatore.

Në çerekfinale, Kosova u përball me Slloveninë, të cilën e mposhti me rezultat të pastër 2:0 në mapa. Të dyja hartat përfunduan me rezultat identik, 13:8.

Paraqitjen e mirë, përfaqësuesit tanë e vazhduan edhe në gjysmëfinale, ku triumfuan ndaj Libanit me rezultat 2:0. Kosova fitoi mapën e parë me rezultat 16:14, ndërsa të dytën me 13:6, duke siguruar biletën për në finale.

Në ndeshjen vendimtare për medaljen e artë, Kosova u përball me Serbinë. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të lojtarëve kosovarë, triumfi i takoi kundërshtarit, ndërsa përfaqësuesja jonë e mbylli garën në vendin e dytë, duke fituar medaljen e argjendtë.

Kosova në këtë kompeticion u përfaqësua nga pesë lojtarë: Arbnor “Dementor” Pacolli, Atif “gejmzilla” Mustafa, Ensar “Caleyy” Ersuzi, Ammar “ammar” Grashtica dhe Qëndrim “v1w” Hajrizi.

Federata Esports Kosova i ka përgëzuar lojtarët për këtë arritje, duke vlerësuar përkushtimin, paraqitjet dhe mënyrën se si e përfaqësuan vendin në arenën ndërkombëtare.

Ky sukses përbën një tjetër rezultat të rëndësishëm për Esports-in kosovar dhe dëshmon potencialin e lojtarëve tanë në garat ndërkombëtare. Përfaqësuesja e Kosovës rikthehet nga MEG26 me medaljen e argjendtë dhe titullin e nënkampiones së Mesdheut në Counter-Strike 2. /Telegrafi/