Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, prezantoi për para grupeve të interesit paketën me katër projektligje të reja të shëndetësisë, të cilat synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian dhe modernizimin e mënyrës së furnizimit të sistemit publik shëndetësor. Prezantimi u zhvillua në aktivitetin “Shëndetësia drejt integrimit në BE 2030”, ku morën pjesë ekspertë të BE, përfaqësues të industrisë farmaceutike, komunitetit të biznesit, institucioneve, organizatave profesionale dhe ekspertë të tjerë që kontribuan për paketën e projektligjeve.
Spahiu theksoi rëndësinë e krijimit të shoqërisë publike MedAL, e cila synon forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit të institucioneve publike shëndetësore përmes koordinimit të fuqisë blerëse, planifikimit të nevojave, menaxhimit të integruar të stokut dhe krijimit të rezervave strategjike. “Për pacientin, rëndësi ka që bari i duhur të jetë i disponueshëm në kohën e duhur, me cilësinë e kërkuar dhe me një kosto të përballueshme për sistemin,” u shpreh ministrja.
Duke iu përgjigjur pikëpyetjeve, ministrja vlerësoi kontributin e sipërmarrjes private dhe kapacitetet profesionale dhe logjistike të ndërtuara ndër vite, duke nënvizuar se organizimi i ri i furnizimit duhet të mbështetet në transparencë, konkurrencë të ndershme, trajtim të barabartë, paanshmëri rregullatore dhe llogaridhënie. “Objektivi i reformës është përmirësimi i funksionimit të sistemit publik. Ekspertiza dhe kapacitetet e sipërmarrjes private janë pjesë e rëndësishme e këtij ekosistemi,” deklaroi Spahiu.
Ministrja sqaroi se autorizimi i tregtimit mbetet parim themelor për vendosjen e barnave në treg, ndërsa mekanizmat e posaçëm të importit duhet të jenë përjashtime të argumentuara, në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet e cilësisë, sigurisë dhe gjurmueshmërisë.
Paketa ligjore përfshin katër projektligje: për produktet mjekësore për përdorim njerëzor; për pajisjet mjekësore; për pajisjet mjekësore diagnostikuese in vitro; dhe për krijimin e shoqërisë publike MedAL. Tre projektligjet e para synojnë forcimin e standardeve të cilësisë dhe sigurisë, rritjen e gjurmueshmërisë, forcimin e farmakovigjilencës, lehtësimin e aksesit në teknologjitë moderne dhe eliminimin e procedurave administrative të panevojshme. “Filozofia jonë është të forcojmë standardet që mbrojnë qytetarin dhe të thjeshtojmë procedurat që nuk krijojnë vlerë,” deklaroi ministrja. Spahiu theksoi se propozimet e argumentuara lidhur me konkurrencën, sigurinë e furnizimit, investimet dhe zbatimin praktik do të analizohen gjatë konsultimeve, dhe se “Suksesi i kësaj reforme do të matet me rezultatet në praktikë: aksesin në trajtime, sigurinë e produkteve, vazhdimësinë e furnizimit, besimin tek institucionet dhe përdorimin e përgjegjshëm të fondeve publike.”
