Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, vizitoi pas mesnate në spital një të ri nga Vlora që, sipas tij, është goditur me plumb gome në sy nga policia gjatë protestës së 28 nëntorit. Në videon e publikuar nga Kapri në rrjetet sociale, i riu deklaron nga shtrati i spitalit se mjekët, pas një testi provë që kanë kryer, nuk i kanë dhënë një përgjigje të qartë për gjendjen e tij. Ai rrëfen se në ato pak momente kur ia ka hapur qepallën syrit të dëmtuar ka parë vetëm dritë të bardhë dhe jo imazhe.
Në postimin në rrjetet sociale, deputeti Kapri thotë se protestuesi rrezikon të humbasë shikimin dhe e quajti goditjen një akt kriminal, duke paralajmëruar se autorët do të mbajnë përgjegjësi. Kapri shkruan: “Saimiri sapo kishte mbyllur telefonin me të ëmën kur, siç më tregoi sot nga shtrati i spitalit, e goditën me plumb gome në sy. Tani rrezikon të humbasë shikimin. Sapo e vizitova në Spitalin Ushtarak ku i duhet të presë edhe 4 ditë për ndërhyrjen. Përgjegjësit e këtij akti kriminal kanë emra dhe do mbajnë përgjegjësi”.
Rasti i të riut nga Vlora përmendet si i dyti ku protestues janë qëlluar në sy gjatë protestave; rasti më i rëndë i përket Erion Vishkullit. Gjatë protestës së 28 nëntorit janë dokumentuar përmes pamjeve në rrjetet sociale dhjetëra raste të tjera ku protestues janë qëlluar në zonën e kokës dhe të fytyrës me plumba gome apo me zare nga ana e policisë.
Sipas raportimit, dhjetëra të lënduar paraqitën veten në spitale dje, ndërsa shumë raste të tjera kërkuan ndihmë nga mjekë privatë, për t’i shpëtuar arrestimit të mundshëm nga policia në spital. Lajmi jepet nga Top Channel.
