Kosova e përfundoi garën e Counter-Strike 2 (CS2) në Lojërat Mesdhetare të Esports, MEG26, në vendin e dytë mes 18 shteteve pjesëmarrëse. Kombëtarja e esports-it fitoi medaljen e argjendtë dhe titullin e nënkampiones.
Rrugëtimi i Kosovës drejt finales nisi me fitore kundër Shqipërisë, Tunizisë, Italisë dhe Portugalisë në fazën e grupeve. Këto rezultate i siguruan kualifikimin në fazën eliminatore, pas përballjeve me disa prej kombëtareve më të mira të rajonit dhe Mesdheut.
Të lidhura
None found
Në çerekfinale, përfaqësuesja kosovare eliminoi Slloveninë me 2:0 në mapa, me rezultat 13:8 në secilën prej tyre. Më pas, në gjysmëfinale, mundi Libanin gjithashtu 2:0: mapën e parë e fitoi 16:14, ndërsa të dytën 13:6.
Në ndeshjen për titull, Kosova u përball me Serbinë, por humbi dhe e mbylli turneun si nënkampione.
Për Kosovën garuan Arbnor “Dementor” Pacolli, Atif “gejmzilla” Mustafa, Ensar “Caleyy” Ersuzi, Ammar “ammar” Grashtica dhe Qëndrim “v1w” Hajrizi.
Federata Esports Kosova përgëzoi lojtarët për arritjen ndërkombëtare dhe vlerësoi përkushtimin e dinjitetin e treguar në përfaqësimin e shtetit të Kosovës. Sipas federatës, vendi i dytë tregon potencialin e esports-it në Kosovë, si edhe punën për zhvillimin e tij në arenën ndërkombëtare.






