Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka zhvilluar një takim me grupet e interesit, ku ka prezantuar një paketë të re ligjore që synon modernizimin e sektorit shëndetësor dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.
Gjatë aktivitetit “Shëndetësia drejt integrimit në BE 2030”, ministrja Spahiu prezantoi katër projektligje që prekin drejtpërdrejt tregun farmaceutik, pajisjet mjekësore dhe organizimin e furnizimeve për institucionet publike shëndetësore.
Në qendër të diskutimeve ishte krijimi i shoqërisë publike MedAL, një strukturë e re që synon të ndryshojë mënyrën e planifikimit dhe sigurimit të barnave dhe produkteve mjekësore për spitalet dhe institucionet shtetërore.
Përmes këtij mekanizmi parashikohet koordinimi i blerjeve, administrimi më efikas i rezervave dhe garantimi i furnizimit të qëndrueshëm me barna, veçanërisht në situata kur kërkesat e sistemit shëndetësor rriten.
Ministrja Klodiana Spahiu theksoi se prioritet mbetet garantimi i barnave të sigurta dhe cilësore për pacientët, në kohën e duhur dhe me një kosto të përballueshme për sistemin publik.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua bashkëpunimit me sektorin privat. Përfaqësues të industrisë farmaceutike, komunitetit të biznesit, institucioneve dhe organizatave profesionale diskutuan mbi ndryshimet e propozuara dhe ndikimin e tyre në treg.
Spahiu nënvizoi se reforma synon të forcojë funksionimin e sistemit publik, duke respektuar parimet e transparencës, konkurrencës së ndershme, trajtimit të barabartë dhe llogaridhënies.
Paketa e re përmban katër projektligje që lidhen me produktet mjekësore për përdorim njerëzor, pajisjet mjekësore, pajisjet diagnostikuese in vitro dhe krijimin e shoqërisë publike MedAL.
Ndryshimet synojnë forcimin e standardeve të cilësisë dhe sigurisë, përmirësimin e kontrollit dhe gjurmueshmërisë së barnave, si dhe reduktimin e procedurave administrative të panevojshme.
Gjatë diskutimeve, ministrja Spahiu u ndal edhe te rregullat për importin e barnave, duke theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve ligjore dhe garantimit të sigurisë së produkteve që hyjnë në tregun shqiptar.
Në përfundim, Klodiana Spahiu theksoi se suksesi i reformës do të matet me përmirësimin e shërbimeve për pacientët, furnizimin e vazhdueshëm me barna dhe përdorimin më të përgjegjshëm të fondeve publike.
Reforma është pjesë e përpjekjeve për të afruar sistemin shëndetësor shqiptar me standardet evropiane, në kuadër të objektivit të integrimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
