Spanja po voton këtë të diel në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme. Kryeministri socialist, Pedro Sánchez, i shpalli zgjedhjet tetë muaj më herët, pasi deputetët spanjollë hodhën poshtë ndryshimet e propozuara në ligjet e vendit për strehimin. Partia socialiste e Sánchez-it do të përballet me konkurrencë të fortë nga Partia Popullore konservatore, e cila mund të ketë nevojë për mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë, Vox, për të siguruar shumicën. Sondazhet tregojnë se kryeministri është pak prapa rivalit të tij, Alberto Núñez Feijóo, dhe Partisë Popullore, por të premten Sánchez u shpreh para mbështetësve se beson që fitorja është e mundshme. Mungesa e banesave të përballueshme ka qenë tema kryesore e kësaj fushate zgjedhore, e ndjekur nga çështje të tjera si kostoja e jetesës dhe emigracioni. Sánchez, i cili është në pushtet që nga viti 2018, ka treguar aftësi të mëdha për të mbijetuar politikisht. Ai ka fituar një profil të spikatur në skenën ndërkombëtare, veçanërisht përmes kundërshtimit të veprimeve të Izraelit në Gaza dhe kritikave ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Megjithatë, përveç krizës së strehimit, skandalet e korrupsionit dhe dy aksidente të rënda hekurudhore kanë dëmtuar imazhin e tij brenda vendit. Nëse partia e Sánchez-it fiton numrin më të madh të vendeve në parlament, ka gjasa që ai ta ketë të vështirë të formojë një koalicion të së majtës. Nëse partia e Feijóo-s arrin të formojë qeverinë, kjo do të ndodhë me mbështetjen e partisë Vox, e udhëhequr nga Santiago Abascal. Këto parti kanë bashkëpunuar tashmë në pushtet në katër rajone spanjolle, por prania e Vox-it në qeverinë qendrore mund të ketë pasoja të rëndësishme për Spanjën dhe të ndryshojë më tej ekuilibrin e fuqisë në Evropë. Vox mbështet politika të tilla si "prioriteti kombëtar", që u jep përparësi qytetarëve spanjollë në sistemin e mirëqenies, si dhe "rimigrimin" e të huajve që nuk konsiderohet se kontribuojnë në ekonomi. Kritikët e kanë përshkruar ideologjinë e kësaj partie si të ngjashme me aspekte të epokës së diktatorit Francisco Franco, një pretendim që Vox-i e hedh poshtë.