Kryeministri Edi Rama ka publikuar episodin më të fundit të podcastit “Flasim”, ku një nga të ftuarit ishte Dritan Shakohoxha, tashmë i angazhuar në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Gjatë bisedës, kreu i qeverisë u ndal te zhvillimi i tregut të ndërtimit në Shqipëri, rritja e çmimeve të pronave dhe transformimi urban i Tiranës, duke kundërshtuar pretendimet për një krizë në këtë sektor.
Sipas Ramës, investimet në infrastrukturë dhe përmirësimi i hapësirave publike kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e vlerës së pronave në kryeqytet.
Ai kujtoi periudhën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, duke theksuar se ndryshimet e para nisën me lyerjen e fasadave, rregullimin e trotuareve dhe përmirësimin e ndriçimit publik.
Kryeministri u shpreh se sot Tirana ka mundësi të bashkëpunojë me arkitektë të njohur ndërkombëtarë, ndërsa përmendi edhe një projekt të realizuar nga studioja Herzog & de Meuron, i cili, sipas tij, është vlerësuar së fundmi në një festival botëror të arkitekturës.
Nga ana tjetër, Dritan Shakohoxha hodhi poshtë pretendimet se në Tiranë ka një numër të madh apartamentesh të pashitura dhe një treg të bllokuar.
Sipas tij, aktiviteti në sektorin e pasurive të paluajtshme mbetet i lartë, ndërsa transaksionet dhe kërkesa për prona tregojnë se tregu vazhdon të funksionojë.
Shakohoxha argumentoi se rritja e vlerës së pasurive përbën një zhvillim pozitiv për pronarët, duke kundërshtuar kritikat ndaj sektorit.
Ndërkohë, Rama pranoi se rritja e çmimeve krijon vështirësi për qytetarët që nuk kanë mundësi të blejnë banesa.
Ai theksoi se ligji i ri për strehimin parashikon mekanizma financiarë që synojnë të ndihmojnë familjet dhe individët me mundësi të kufizuara ekonomike.
Sipas kryeministrit, objektivi mbetet zhvillimi i tregut të ndërtimit, krahas krijimit të mundësive më të mëdha për strehim të përballueshëm.