Policia e Durrësit ka zbardhur gjashtë raste vjedhjesh në subjekte tregtare në qytet, ndërsa në pranga ka rënë autori i dyshuar, një 23-vjeçar i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Again”, specialistët për Hetimin e Krimeve në Volum, në bashkëpunim me shërbimet e rendit, kanë identifikuar dhe arrestuar shtetasin E. Xh., 23 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet dyshohet se i riu ka vjedhur shuma parash, pajisje elektronike dhe sende të ndryshme me vlerë në gjashtë subjekte tregtare, të ndodhura në lagjet nr. 3, 8, 15, 16, 17 dhe 18 të qytetit.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur edhe raste të tjera vjedhjesh që mund të jenë kryer nga 23-vjeçari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Vjedhja e kryer më shumë se një herë”.