BOTA

Polonia paralajmëron Rusinë: Do të dërgojë trupa në shtetet baltike në rast sulmi, pa pritur vendimin e NATO-s

13:08 - 29.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Polonia është e gatshme të ndërhyjë ushtarakisht në mbrojtje të shteteve baltike në rast të një sulmi të mundshëm rus, pa pritur aktivizimin formal të Nenit 5 të NATO-s.

Lajmi raportohet nga media polake “Onet”, e cila citon burime brenda qeverisë në Varshavë. Sipas tyre, Polonia nuk ka ndërmend të presë një vendim zyrtar të Aleancës për të reaguar nëse Rusia ndërmerr një agresion të armatosur ndaj njërit prej vendeve baltike.

Burimet bëjnë me dije se diskutimet brenda qeverisë polake nuk lidhen me faktin nëse vendi do të ndërhyjë, por me përmasat dhe nivelin e angazhimit ushtarak në rast të një sulmi rus.

Një nga skenarët që po shqyrtohet është dërgimi i shpejtë i njësive të forcave speciale në terren, me qëllim mbështetjen e shteteve të kërcënuara.

Ky qëndrim vjen në një kohë kur shqetësimet për sigurinë në krahun lindor të NATO-s janë shtuar, ndërsa mundësia e një provokimi ushtarak rus ndaj vendeve baltike po diskutohet gjithnjë e më shumë.

Shtetet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, janë anëtare të NATO-s dhe kufizohen drejtpërdrejt ose në afërsi me Rusinë dhe Bjellorusinë. Ndërkohë, Neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut parashikon se një sulm i armatosur ndaj një anëtari të Aleancës konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.