Elisa Spiropali ka zgjedhur të ndajë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale disa fotografi nga pritja zyrtare e organizuar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me rastin e Festave Kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit.
Në një kohë kur emri i saj është në qendër të zhvillimeve politike brenda Partisë Socialiste, Spiropali është shfaqur e buzëqeshur në ambientet e pritjes presidenciale, në shoqërinë e personaliteteve dhe të ftuarve të tjerë.
Përmes një postimi në Instagram, ajo ka publikuar gjashtë fotografi nga aktiviteti, të shoqëruara me një përshkrim të shkurtër.
“Disa foto mes miqsh në pritjen e Presidentit Begaj për Festat Kombëtare”, shkruan Spiropali.
Në fotografitë e publikuara, ajo shfaqet në poza të ndryshme me të pranishmit, ndërsa në një prej tyre bën edhe simbolin e shqiponjës me duar, në atmosferën festive të krijuar për nder të festave kombëtare.
Ky postim vjen vetëm pak ditë pas zhvillimeve brenda mazhorancës socialiste, ku Spiropali humbi pozicionet e saj në strukturat drejtuese të grupit parlamentar.
Megjithate, ish-ministrja ka preferuar të mos i komentojë këto zhvillime, duke e përqendruar postimin te momentet festive dhe takimet me miqtë gjatë pritjes së organizuar nga kreu i shtetit.
Fotografitë kanë tërhequr vëmendjen edhe për shkak të situatës së fundit politike, ndërsa Spiropali vijon aktivitetin e saj publik pa dhënë një reagim të ri lidhur me vendimet e marra ndaj saj.