Edhe protesta e dhunshme e 28 nëntorit do të përfshihet në raportin që Avokati i Popullit do të dorëzojë në Kuvend në dhjetor mbi menaxhimin e protestave nga Policia e Shtetit.
Këtë të diel, komisioneri Ahmet Prençi i ka kërkuar Policisë së Tiranës të sqarojë se kush urdhëroi përdorimin e forcës gjatë protestës së djeshme, çfarë mjetesh u përdorën dhe nëse u respektuan rregullat për përdorimin e tyre.
Në fokus të kërkesës së Prençit janë edhe pretendimet e disa protestuesve se janë goditur me plumba gome.
“Katër protestues që grupet e monitorimit kontaktuan në Spitalin Universitar të Traumës deklaruan se u goditën me plumba gome. Njëri prej tyre deklaroi se u godit në sy dhe grupi konstatoi syrin e majtë të mavijosur dhe të mbyllur. Një tjetër deklaroi se u godit edhe me shkop gome. Një i tretë deklaroi se u qëllua në ballë nga distancë e afërt me fishek gazi dhe grupi konstatoi shenja në këmbë dhe kokën të fashuar pas qepjes së një plage”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
"Kush e urdhëroi përdorimin e forcës: planin operacional dhe zinxhirin e komandimit. Çfarë u përdor dhe sipas cilave rregulla: plumbat e gomës, fishekët e gazit, gazin lotsjellës të hedhur nga dronët dhe ujëhedhësit, me orën, vendin, urdhrin dhe paralajmërimin për secilin, si edhe distancën minimale dhe pjesët e trupit ku lejohet qitja. Si u mbrojtën gazetarët dhe të lënduarit: rrethanat e dëmtimit të punonjësve të medias, përfshirë pretendimin për përdorimin e ujit me presion drejt zonës ku ndodheshin mediat, ndihmën e parë dhe hyrjen e ambulancave, Si identifikohen punonjësit e policisë në terren?" thuhet më tej.
Vëmendje të veçantë Avokati i Popullit i kushtoi lëndimit të gjashtë gazetarëve gjatë raportimit nga protesta. Policisë i kërkohet të sqarojë jo vetëm rrethanat e dëmtimit të tyre, por edhe masat që kishte marrë për të garantuar sigurinë e punonjësve të medias. Objekt verifikimi do të jetë përdorimi i ujit me presion në drejtim të zonës ku ndodheshin gazetarët.
“Avokati i Popullit ndjek me të njëjtën vëmendje lëndimin e punonjësve të policisë, të protestuesve dhe të gazetarëve. Ligji e lejon forcën vetëm kur është e nevojshme dhe në masë proporcionale”, nënvizon institucioni.
Policia duhet të ruajë menjëherë të gjitha pamjet e regjistruara nga kamerat e trupit të efektivëve, dronët dhe automjetet, si dhe komunikimet në radio, dhe ta konfirmojë këtë me shkrim brenda 48 orëve.
Ndërsa për dorëzimin e planit operacional, urdhrave për përdorimin e forcës dhe dokumentacionit tjetër të kërkuar, policia ka 10 ditë kohë.
-
Ti zoti avokat thirre Qorrat horrat Shehat e plakun mere qe po djegin kryeqytetin dhe jo polixine e shtetit qe po mbron insitucionet
Përgjigju












Komente
Komento