Zvicra ka publikuar rezultatet e para të katër referendumeve kombëtare të mbajtura më 29 nëntor, ku qytetarët kanë votuar kundër propozimit për financimin shtesë të pensionit të 13-të dhe ndryshimit të sistemit të taksimit të çifteve të martuara, ndërsa kanë mbështetur kufizimin e fishekzjarrëve dhe lehtësimin e eksporteve të armëve.

Sipas projeksioneve të publikuara nga gazeta zvicerane Le Temps, propozimi për financimin e pensioneve përmes rritjes së TVSH-së është kundërshtuar nga 55.5% e votuesve.


Kjo nismë synonte sigurimin e mjeteve shtesë për pagesën e pensionit të 13-të të sigurimit të pleqërisë dhe familjarëve (AHV).

Edhe propozimi për ndryshimin e mënyrës së taksimit të çifteve të martuara është përballur me kundërshtim të shumicës, me 59.7 të votave% kundër.

Nisma synonte eliminimin e disavantazheve tatimore për çiftet e martuara, duke ruajtur një model të përbashkët të tatimit federal.

Në anën tjetër, iniciativa për kufizimin e përdorimit të fishekzjarrëve ka marrë mbështetjen e 60.6% të votuesve, sipas projeksioneve.

Propozimi synon vendosjen e kufizimeve për fishekzjarrët që shkaktojnë zhurmë, me qëllim mbrojtjen e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.

Mbështetje ka marrë edhe ndryshimi i Ligjit për Materialet Ushtarake, me 53.8 për qind të votave pro.

Reforma parasheh lehtësimin e eksporteve dhe ri-eksporteve të armëve zvicerane drejt 36 shteteve partnere, përfshirë edhe vende që mund të jenë të përfshira në konflikte të armatosura, në kushte të përcaktuara me ligj, transmeton Telegrafi.

Ky propozim ka shkaktuar debat të gjerë në Zvicër, pasi kundërshtarët paralajmërojnë se lehtësimi i shitjes së armëve mund të cenojë neutralitetin tradicional të vendit, ndërsa mbështetësit argumentojnë se ndryshimi është i nevojshëm për të mbrojtur industrinë vendore të mbrojtjes dhe konkurrueshmërinë e saj ndërkombëtare.

Sipas “Le Temps”, këto shifra janë projeksione të bazuara në përllogaritjet e institutit DemoSquare dhe jo rezultate përfundimtare zyrtare.

Votimi i 29 nëntorit konsiderohet i rëndësishëm për politikat sociale, ekonomike dhe të sigurisë së Zvicrës./Telegrafi/