Studentët e huaj zgjedhin Shqipërinë, Tirana mirëpret 40 të rinj në kuadër të programit Erasmus
Nga Austria në Shqipëri, Franz Gerhalter ka zgjedhur të kalojë një semestër të studimeve në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë. Mundësia për të ndjekur leksionet në gjuhën angleze ishte një nga arsyet kryesore që e bindi të zgjidhte Shqipërinë.
“Fillimisht mendova për Spanjën. Kur pashë se mund të vija edhe në Tiranë, mendova: Pse jo? Shfletova faqen e universitetit dhe u befasova, sepse pothuajse të gjitha lëndët ofroheshin në gjuhën angleze. Kjo ishte arsyeja”, tha Franz Gerhalter, student nga Austria.
Franz tregon se që në ditët e para në auditor, ajo që i bëri më shumë përshtypje ishte mikpritja e studentëve shqiptarë, dhe marrëdhënia më e ngrohtë me pedagogët, krahasuar me Austrinë.
“Pedagogu filloi të fliste në shqip dhe brenda pak sekondash, tre studentë ngritën dorën dhe i thanë: Mund të flisni në anglisht, në mënyrë që edhe ky student të kuptojë?. Më bëri përshtypje mirësia e njerëzve dhe gatishmëria e tyre për të më ndihmuar”, shtoi Franz Gerhalter.
Të njëjtën eksperiencë po përjeton edhe Megy Dafa, e cila ka ardhur nga një universitet në Itali. Përtej ndryshimeve në organizimin e procesit mësimor, ajo thotë se përshtatja në auditor ka qenë më e lehtë.
“Shumica e njerëzve këtu janë shumë të sjellshëm dhe përpiqen vërtet të të trajtojnë mirë, sidomos kur kuptojnë se ndihesh e çorientuar. Pedagogët janë përpjekur të na e lehtësojnë procesin e përshtatjes. Janë treguar shumë të sjellshëm, duke na dërguar personalisht, të gjitha informacionet që na nevojiten për lëndët e ndryshme”, u shpreh Megy Dafa, studente nga Italia.
Për të dy studentët, eksperienca në Shqipëri nuk kufizohet vetëm në auditor. Miqësitë e reja, udhëtimet dhe njohja me kulturën shqiptare janë bërë pjesë e përditshmërisë së tyre.
“Zgjodha Shqipërinë sepse kam qenë këtu edhe gjatë verës për të vizituar vendin, ndaj e njihja disi Tiranën. Edhe pse të përshtatesh në një qytet të ri është gjithmonë pak e vështirë, mua më pëlqen ta vë veten në provë dhe ta sfidoj veten”, u shpreh Megy Dafa.
Franz ka zbuluar bukuritë e Thethit dhe Valbonës, por edhe një gatim që do të donte ta gjente në Austri.
“Byreku me domate dhe qepë është i preferuari im. Më vjen keq që nuk e kam gjetur asnjëherë në Austri. Mendoj se duhet ta ofrojnë edhe atje”, deklaroi Franz Gerhalter.
Vetëm për semestrin e vjeshtës 2026, Universiteti i Tiranës mirëpriti mbi 40 studentë ndërkombëtarë përmes programit Erasmus+.
/vizionplus.tv




