Në një postim në Facebook, Kuçi i përshkroi sulmet në Banjskë dhe në Ibër-Lepenc si dy dimensione të luftës hibride, duke nënvizuar se ato goditën në mënyra të ndryshme shtetin e Kosovës.

“Përderisa në Banjskë u sfidua autoriteti territorial i Kosovës, në Ibër-Lepenc u godit funksionaliteti i shtetit”, ka shkruar Kuçi.

Ai tutje ka thënë se gjykata në Beograd lëshoi urdhërarrest ndaj Milan Radojçiqit më 17 nëntor 2026, kur ai tashmë ishte në arrati.

Sipas Kuçit, po atë ditë u konstituua edhe parlamenti i ri i Serbisë.

Profesori Kuçi vlerësoi se kjo kronologji ngre dyshime për një kalkulim politik. Sipas tij, udhëheqja e re në Beograd mund ta paraqesë urdhërarrestin para partnerëve ndërkombëtarë si dëshmi se Serbia po i përmbush detyrimet e saj, duke zbutur presionin për mosarrestimin e Radoiçiqit.

Hulumtuesi tutje paralajmëroi se ndryshimi i pushtetit në Serbi mund t’i shtyjë vendet perëndimore t’i trajtojnë Banjskën dhe Ibër-Lepencin si probleme të administratës së kaluar, ndonëse të dyja rastet mbeten çështje të pazgjidhura të sigurisë rajonale.

“Në marrëdhëniet ndërkombëtare, ajo ul koston e agresionit dhe krijon kushtet strategjike për përsëritjen e tij”, ka shkruar Kuçi, duke iu referuar pandëshkueshmërisë.