TIRANË- Deputeti demokrat, Kliti Hoti u qëllua me plumb gome gjatë protestës së 29 nëntorit. AI ishte në mesin e një grup protestuesish në bulevard, pranë ish-hotel Dajtit, kur siç shihet në pamje, një polic e qëllon nga një distancë e afërt me plumb gome, i cili e kap në shpatullën e djathë. Ligjvënësi opozitar përfundoi i shtrirë në rrugë për pak kohë, derisa një ambulancë erdhi dhe e dërgoi në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Dinamika është ende e paqartë. Para se të qëllonte, efektivi dallohet teksa tërhiqet nga dy kolegë të tij për të larguar. Më pas ai kthehet dhe qëllon dhe më pas kolegët e largojnë nga aty. Një grup do të ngrihet me urdhër të kryepolicit SKënder Hita për të zbardhur të gjithë dinaikën, ndërsa deri atëherë efektii që qëlloi deputetin e opozitës është pezulluar nga detyra.

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo deklaroi se askush nuk është mbi ligjin “aq më tepër një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka për detyrë ta zbatojë dhe ta mbrojë atë.”

“Pasi jam vënë në dijeni të një rasti të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës nga një punonjës i policisë në mënyrë individuale, i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e menjëhershëm të efektivit në fjalë, si dhe nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes”, shkroi Demo.

Berisha ka deklaruar mbështetjen ndaj protestës, por s’ka marrë përsipër organizimin e asnjë tubimi në emër të PD këtë fundjavë, por vetëm u ka bërë thirrje militantëve që të merrnin pjesë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:52
Deputeti Hoti u qëllua me plumb gome, Berisha: Demo zbatoi urdhrin e Ramës! Nxit sulme ndaj komisariateve

1795963320_saliberisha.jpg

Sali Berisha akuzoi Ervin Demon se zbatoi urdhrin e Ramës për të qëlluar me plumb kombe Klitin Hotin, që sipas tij ishte një tentativë për ta vrarë. Berisha nxiti dhe sulme ndaj komisariateve, duke thënë se atje sillen me qytetarët në mënyrën me armiqësore.

“Ai është horr në detyrë. Thanë para një muaji se pesë policë u pezulluan. Ata janë të gjithë në detyrë, duke bërë kamxhikun e protestuesve. Rama ka kërkuar një akt të tillë dhe Demo nuk mund ta fshehë fytyrën e zezë të Ramës.

Deputeti po ecte. Ata ishin pa asgjë në dorë, vetëm me telefonin. Kthehen dhe e qëllojnë si kriminel. E di si sillen në komisariate me qytetarët. Sillen në mënyrën më armiqësore. Sjellje që janë shkas për të sulmuar komisariatet. Shkas që qytetarët të sulmojnë komisariatet. Të sjellësh njeriun në emër të ligjit dhe të sillesh si kafshë ndaj tij, ti e bën objekt sulmi komisariatin.

Rama është i aftë të zbatojë çdo skenar dhe mendon se me një grusht horrash do të mund t’i shpëtojë verdiktit të qytetarit. Rama është përgjegjës personalisht për këtë tentativë vrasjeje ndaj deputetit të PD-së”, tha Berisha.

Ora 15:44
Deputeti Hoti u qëllua me plumb gome, Berisha te Trauma: Me urdhër të Ramës, u qëllua për t’u vrarë

1795963338_saliberisha.jpg

Kreu i PD, Sali Berisha flet nga Trauma pasi deputeti demokrat Kliti Hoti u qëllua me plumb gome. 

“Me urdhër të Ramës, u qëllua me tentativë për t’u vrarë deputeti i PD-së, doktor Kliti Hoti, i cili gjatë gjithë kësaj periudhe, në cilësinë e deputetit dhe të mjekut, ka qëndruar me një përkushtim të madh pranë të gjithë protestuesve të agresuar barbarisht, pa asnjë motiv, pa asnjë motiv, nga narkobanditët e Ramës për të shpëtuar lëkurën e Edi Ramës.

Deputeti po vraponte pas një protestuesi që po e trajtonin shtazërisht narkobanditët dhe ata e qëllojnë në distancë. E marrin në shenjë në zemër, por Zoti, një fuqi e mbinatyrshme, instinkti e kthen Hotin. Ai bën një rrotullim dhe arma e kap në shpatullën e djathtë. Një goditje nga afër, shumë e rëndë, me një plagë të thellë, me djegie përreth, sikur të ishte ndonjë plumb.

Tani po vazhdon analizat tjera. Po ky akt vandal i Ramës është dëshmi e madhe se kërkon konflikt. Rama de fakto i shpall luftë kësaj force politike. Duhet të ngrihemi ta rrëzojmë këtë regjimin.

Janë mbi 70 të plagosur, mbi 20 kanë trajtuar te qendra pranë tajvanit me plagë serioze. Vetëm një polic është me hematobë, të tjerë janë mirë. Kjo dhunë dëshmon fytyrën e regjimit të Ramës dhe Demos. Është një situatë kritike.PD do të mobilizohet dhëmbë për dhëmbë me këtë regjim. Ne e marrim akt lufte ndaj nesh", tha Berisha. 

Ora 15:34
Qëlloi deputetin Kliti Hoti me plumb gome, pezullohet polici! Demo: Askush nuk është mbi ligjin (VIDEO)

 

Efektivi që qëlloi me plumb gome deputetin demokrat Kliti Hoti është pezulluar nga detyra. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo në një reagim tha se askush nuk është mbi ligjin dhe se i ka kërkuar kryepolicit Skënder Hita që të nisë hetimin e plotë për ngjarjen.

“Askush nuk është mbi ligjin, aq më tepër një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka për detyrë ta zbatojë dhe ta mbrojë atë. Pasi jam vënë në dijeni të një rasti të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës nga një punonjës i policisë në mënyrë individuale, i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e menjëhershëm të efektivit në fjalë, si dhe nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes.

Siç e kam theksuar vazhdimisht, barazia e të gjithëve përpara ligjit është një parim i panegociueshëm.

Dhuna nuk do të tolerohet, as nga protestuesit që sulmojnë forcat e rendit, institucionet, pronën publike apo bizneset private, as nga punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre. E drejta për të protestuar është e garantuar. Detyrimi për të respektuar ligjin është i njëjtë për të gjithë, pa përjashtim”, shkroi Demo.

Ora 15:23
PD bën përgjegjës Ramën pasi Kliti Hoti u qëllua me plumb gome! Berisha e Bardhi: Krim, do marrin përgjigjen e merituar

Deputetët demokratë kanë reaguar pasi deputeti demokrat Kliti Hoti u qëllua me plumb gome në shpatull gjatë protestës. Sali Berisha bën përgjegjës Ramën. 

"Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë sulm kriminal me qëllim vrasjen e deputetit të Shkodrës Dr. Kliti Hoti dhe garanton padrinon Edi Rama se do të marrë përgjigjen e merituar! Demokratë e demokrate të gjithë në kembë! O sot o kurrë", shkroi Berisha. 

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi shkroi se kjo është krim dhe paralajmëroi policët se do të përgjigjen ligjërisht.

“Kjo është shpallje lufte! Do të përgjigjeni!  Goditja ndaj një deputeti, në krye të detyrës, me plumb në trup, është një krim që do të marrë përgjigje ligjore dhe personale”, tha Bardhi.

Edhe deputeti demokrat, Saimir Korreshi e cilësoi një tentativë për vrasje.

“O Kriminela, o plehra cfare eshte kjo ?!?! Kjo eshte tentative per vrasje o sherbetor te krimit ! Kjo është shpallje lufte! Do të përgjigjeni!  Goditja ndaj një deputeti, në krye të detyrës, me plumb në trup, është një krim që do të marrë përgjigje ligjore dhe personale”, shkroi Korreshi.

Reagim pati edhe Tedi Blushi nga Partia e Lirisë.

“Të qëllosh me plumb gome, nga afër dhe pas shpine, deputetin Kliti Hoti, është terror shtetëror dhe atentat kriminal ndaj demokracisë dhe pluralizmit politik! Junta policore është shndërruar në skuadër pushkatimi kundër opozitës. Edi Rama është urdhëruesi dhe përgjegjësi për këtë dhunë dhe duhet të mbajë përgjegjësi personale! Ky atentat është i pafalshëm!  Përgjigjja duhet të jetë e vendosur, e ashpër dhe me çdo mjet demokratik e ligjor”, shkroi Blushi.

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
3.0 / 5 (2 vlerësime)
  • Sondazhi i ditës: 28 Nëntor, 14:37

    Si e cilësoni protestën e dhunshme ditën e Pavarësisë?