Ministri Demo kërkon pezullimin e efektivit që qëlloi me plumb gome deputetin në protestë

29 Nëntor 2026 | 15:30

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të efektivit të Policisë së Shtetit, i cili dyshohet se plagosi me plumb gome deputetin demokrat Kliti Hoti gjatë protestës së kësaj të shtune në Tiranë.

Përmes një reagimi publik, Demo bëri të ditur se i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e punonjësit në fjalë, si dhe nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes, pas dyshimeve për përdorim joproporcional të forcës.

Ministri theksoi se askush nuk është mbi ligjin dhe se dhuna nuk do të tolerohet, pavarësisht nëse ushtrohet nga protestuesit apo nga punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre. Ai nënvizoi se e drejta për të protestuar është e garantuar, por respektimi i ligjit është detyrim për të gjithë.

Reagimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo:

“Askush nuk është mbi ligjin, aq më tepër një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka për detyrë ta zbatojë dhe ta mbrojë atë.

Pasi jam vënë në dijeni të një rasti të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës nga një punonjës i policisë në mënyrë individuale, i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e menjëhershëm të efektivit në fjalë, si dhe nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes.

Siç e kam theksuar vazhdimisht, barazia e të gjithëve përpara ligjit është një parim i panegociueshëm.

Dhuna nuk do të tolerohet, as nga protestuesit që sulmojnë forcat e rendit, institucionet, pronën publike apo bizneset private, as nga punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre.

E drejta për të protestuar është e garantuar. Detyrimi për të respektuar ligjin është i njëjtë për të gjithë, pa përjashtim.”

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tensione në bulevard, protestuesit sulmojnë me fishekzjarrë automjetet e policisë

Tensionet janë përshkallëzuar në bulevard, teksa protestuesit kanë nisur të hedhin breshëri fishekzjarrësh në drejtim të katër makinave ujëhedhëse të policisë, të vendosura në bulevard.
15:28 | 29/11/2026

Protesta e 29 nëntorit, 10 të lënduar, mes tyre 2 policë dhe një deputet

Bilanci i të lënduarve në protestën e 29 nëntorit deri në orën 15:00 është 10 persona, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e...
15:16 | 29/11/2026

Përplasje mes protestuesve dhe policisë në bulevard, deputeti i PD-së qëllohet me plumb gome (VIDEO)

Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun Shkodër Kliti Hoti ka mbetur i lënduar në protestën që po mbahet të dielën në Tiranë. Hoti është qëlluar...
14:46 | 29/11/2026