Ministri i Brendshëm, Ervin Demo ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të një efektivi të Policisë së Shtetit, pas një rasti të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës gjatë protestës së së dielës para Kryeministrisë. Demo bën të ditur se i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes dhe pezullimin e punonjësit të përfshirë.
“Askush nuk është mbi ligjin, aq më tepër një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka për detyrë ta zbatojë dhe ta mbrojë atë. Pasi jam vënë në dijeni të një rasti të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës nga një punonjës i policisë në mënyrë individuale, i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e menjëhershëm të efektivit në fjalë, si dhe nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes.
Siç e kam theksuar vazhdimisht, barazia e të gjithëve përpara ligjit është një parim i panegociueshëm. Dhuna nuk do të tolerohet, as nga protestuesit që sulmojnë forcat e rendit, institucionet, pronën publike apo bizneset private, as nga punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre. E drejta për të protestuar është e garantuar. Detyrimi për të respektuar ligjin është i njëjtë për të gjithë, pa përjashtim”, thuhet në reagimin e ministrit në rrjetet sociale.
Një vrasje me dashje të mbetur në tentativë e ka cilësuar nënkryetari i PD-së Belind Këlliçi plagosjen me plumb gome të deputetit demokrat Kliti Hoti. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Këlliçi shkruan se deputeti po interesohej për rrëmbimet arbitrare të protestuesve nga policia kur u gjuajt me plumb gome dhe u përplas në tokë.
“Kriminelët e Edi Ramës godasin me plumb gome deputetin e PD, Kliti Hoti. Kjo është vrasje me dashje e mbetur në tentativë. Deputeti po interesohej për rrëmbimet arbitrare të protestuesve nga policia kur u gjuajt me plumb gome dhe u përplas në tokë. Kjo dhunë kriminale e Edi Ramës po përsëritet e po rritet çdo ditë, teksa Prokuroria e Tiranës ende nuk ka marrë asnjë veprim”, shprehet Këlliçi.