Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas lëndimit të deputetit demokrat Kliti Hoti gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha ka akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama se qëndron pas incidentit, duke pretenduar se deputeti i Shkodrës është qëlluar me urdhër politik dhe me qëllim vrasjen e tij.
“Deputeti i Partisë Demokratike Kliti Hoti qëllohet me urdhër politik të Edi Ramës për ta vrarë!”, shkruan Berisha. Kryedemokrati e cilëson ngjarjen një sulm kriminal dhe shprehet se Partia Demokratike e dënon me forcë atë që i ka ndodhur deputetit të saj.
Në reagimin e tij, Berisha paralajmëron gjithashtu një përgjigje politike dhe u bën thirrje demokratëve të mobilizohen.
“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë sulm kriminal me qëllim vrasjen e deputetit të Shkodrës, Dr. Kliti Hoti, dhe garanton padrinon Edi Rama se do të marrë përgjigjen e merituar! Demokratë e demokrate, të gjithë në këmbë! O sot, o kurrë!”, shkruan ai.