Kryeministri në detyrë i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka nisur negociatat me rivalin e tij kryesor, Gadi Eisenkot, për krijimin e një qeverie uniteti, duke i propozuar ndarjen e mandatit të kryeministrit me rotacion.
Eisenkot, të cilit presidenti i Izraelit i ka besuar detyrën për formimin e qeverisë së ardhshme, është shprehur i gatshëm të shqyrtojë seriozitetin e ofertës së partisë Likud të Netanyahut.
Një ditë më parë, Netanyahu deklaroi se ishte i gatshëm që Eisenkot të merrte fillimisht postin e kryeministrit, ndërsa ai vetë të shërbente si zëvendëskryeministër, me mundësinë e ndërrimit të roleve gjatë mandatit.
Megjithëse partia e Netanyahu-t ka më shumë vende në Parlament, ky i fundit tha se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga parimi që drejtimin e qeverisë duhet ta marrë partia më e madhe, përballë asaj që e cilësoi si një kërcënim ekzistencial për Izraelin.
Ndërkohë, Eisenkot ka vendosur datën 6 dhjetor si afat për formimin e qeverisë së re, duke deklaruar se nuk do të kërkojë zgjatjen e afatit me 14 ditë.
Ai ka akuzuar më herët partinë e Netanyahu-t se po zvarrit negociatat për koalicionin, me synimin për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.












