Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur nga Spitali i Traumës, pas plagosjes së deputetit demokrat Kliti Hoti, i cili u qëllua me plumb gome gjatë protestës. Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se goditja ndaj deputetit demokrat ishte e qëllimshme dhe përbënte një tentativë për vrasje.
Sipas kryedemokratit, Hoti, në cilësinë e deputetit dhe të mjekut, po u vinte në ndihmë protestuesve të lënduar, në momentin kur u qëllua në shpatullën e djathtë.
“Me urdhër të Ramës, u qëllua me tentativë për t’u vrarë deputeti i PD-së, doktor Kliti Hoti, i cili gjatë gjithë kësaj periudhe, në cilësinë e deputetit dhe të mjekut, ka qëndruar me një përkushtim të madh pranë të gjithë protestuesve të agresuar barbarisht, pa asnjë motiv, nga narkobanditët e Ramës për të shpëtuar lëkurën e Edi Ramës.
Deputeti po vraponte pas një protestuesi që po e trajtonin shtazërisht narkobanditët dhe ata e qëllojnë në distancë. E marrin në shenjë në zemër, por Zoti, një fuqi e mbinatyrshme, instinkti e kthen Hotin. Ai bën një rrotullim dhe arma e kap në shpatullën e djathtë. Një goditje nga afër, shumë e rëndë, me një plagë të thellë, me djegie përreth, sikur të ishte ndonjë plumb”, deklaroi Berisha.