JOQ Albania ka siguruar pamje të tjera nga protesta e djeshme dhe aksioni i Policisë për shpërndarjen e turmës.
Një nga incidentet më të rënda lidhet me Briken Tucin, i cili është goditur nga uji me presion i përdorur nga policia. Si pasojë, ai është rrëzuar në tokë dhe ka goditur kokën.
Aktualisht, Briken Tuci ndodhet në Spitalin e Traumës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas informacioneve të bëra publike nga familjarët, mjekët i kanë komunikuar rezultatet e skanerit të kryer mëngjesin e sotëm, duke bërë me dije se ai ndodhet në rrezik për jetën. Në tru janë konstatuar disa vatra hemorragjie, të cilat, për momentin, nuk mund të operohen.
Në pamjet e siguruara nga JOQ Albania, Brikeni shihet i shtrirë në tokë, pa ndjenja, ndërsa qytetarët përpiqen t'i japin ndihmën e parë. Megjithatë, ndërhyrja e tyre vështirësohet, pasi efektivët vijojnë të përdorin ujë me presion edhe në drejtim të personave që tentojnë t'i afrohen.
Pamjet e rënda ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën e ndërhyrjes së policisë dhe trajtimin e protestuesve të lënduar.