Shkruar nga Ardit Hoxha
Debati për kandidatin e opozitës në Tiranë po merr një dimension që shkon përtej emrave dhe ambicieve individuale. Në thelb, çështja nuk është nëse kandidati do të quhet Ilir Alimehmeti, Florian Binaj, Ermal Hasimja apo dikush tjetër, por nëse opozita do të arrijë të prodhojë një emër që përfaqëson një konsensus më të gjerë se kufijtë e një partie politike.
Nevoja për një kandidat të vetëm nuk është thjesht një dëshirë politike të atyre që nuk duam Ramën, apo duan rotacionin si nevojë politike, por lidhet edhe me një realitet që po shfaqet në sondazhet e fundit, ku Partia Socialiste rezulton e dobësuar në Tiranë, në nivelet më të ulëta të mbështetjes së saj. Ky zhvillim e bën edhe më të rëndësishëm bashkimin e votës opozitare rreth një kandidati që të mos përfaqësojë vetëm partitë, por të jetë i pranueshëm edhe për qytetarët që nuk identifikohen domosdoshmërisht me to.
E në këtë kontekst, propozimi i një prej kandidatëve për kandidat, Ilir Alimehmeti për ta lënë zgjedhjen në dorë të “sheshit” sjell në tryezë pikërisht këtë dilemë. Ai ka deklaruar se është i gatshëm të mbështesë cilindo kandidat që do të rezultojë më i mbështeturi, duke vendosur si parim që interesi publik të prevalojë mbi interesin personal. Një deklaratë që, përtej mënyrës se si do të organizohet votimi, e zhvendos diskutimin nga pyetja se kush duhet të jetë kandidati te mënyra se si duhet të zgjidhet ai.
Por që ky propozim të mos mbetet thjesht një formulë, ka nevojë që të marrin përgjigje disa pyetje.
A do të pranojnë të gjithë faktorët opozitarë të ulen në një tryezë të përbashkët?
A do të kenë të gjithë të njëjtën peshë në proces?
Dhe, mbi të gjitha, a do të jetë rezultati i një mekanizmi të dakordësuar detyrues për të gjithë, përfshirë ata që sot kanë kandidaturat apo preferencat e tyre?
Sepse Tirana nuk ka nevojë për një tjetër garë brenda opozitës, ku secili të provojë forcën e vet përpara se të përballet me kundërshtarin politik. Përzgjedhja e kandidatit është një proces që nuk mund të reduktohet në pazare mes kryetarëve, por as në një garë ku secili shpall veten përfaqësues të vullnetit të qytetarëve. Duhet një mekanizëm transparent, me rregulla të pranuara paraprakisht dhe me një rezultat që respektohet nga të gjithë.
Në këtë kuptim, deklarata më domethënëse e Alimehmetit nuk është domosdoshmërisht propozimi për votimin në shesh, por gatishmëria e shprehur për të mbështetur një emër tjetër, nëse ai rezulton më i mbështeturi. Kjo e bën të pashmangshëm testin e qëndrimeve edhe për kandidatët dhe drejtuesit e tjerë opozitarë.
Në fund, prova e vërtetë nuk do të jetë nëse “sheshi” do të zgjedhë Alimehmetin apo dikë tjetër, por nëse aktorët politikë do të pranojnë një proces ku rezultati nuk është paracaktuar dhe ku askush nuk e ka të garantuar kandidaturën.
Shansi për të nisur ndryshimin e klasës politike tani është konkret, aktorët dhe faktorët politikë tani kanë në dorë që të bëjnë atë që thonë, kandidati për Tiranës është pasqyra e së vërtetës.












