Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) të nisë menjëherë hetimet për incidentet e ndodhura gjatë protestave të dy ditëve të fundit, ku deputetët Erald Kapri dhe Kliti Hoti u sulmuan nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Shehaj ka bërë thirrje që të hetohen të gjitha rastet, të sekuestrohen pamjet filmike dhe komunikimet e policisë, si dhe të identifikohen efektivët e përfshirë dhe drejtuesit që kanë dhënë urdhrat.
Reagimi vjen ndërsa dy protestues të tjerë raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, njëri në koma dhe në rrezik për jetën, ndërsa tjetri rrezikon të humbasë shikimin.
Në reagimin e tij, Shehaj pretendon se deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, u sulmua nga pas nga një efektiv policie, i cili i hodhi gaz në fytyrë, ndërsa ai po përpiqej të mbronte të rinj që po goditeshin me shkopinj gome.
“Dje, gjithashtu, një efektiv i Policisë së Shtetit e sulmoi pabesisht nga pas deputetin e Partisë Mundësia, Erald Kapri, duke i hedhur gaz në fytyrë, teksa ai përpiqej të mbronte disa të rinj që po goditeshin me shkopinj gome”, deklaroi Shehaj.
Ai denoncoi gjithashtu incidentin e sotëm ndaj deputetit Kliti Hoti, i cili sipas tij u qëllua me plumb gome pranë shtyllës kurrizore, ndonëse nuk po sulmonte askënd. “Sot, policia qëlloi me plumb gome një tjetër deputet, Kliti Hotin, pranë shtyllës kurrizore. Ai nuk po sulmonte askënd. Një goditje në atë zonë mund të kishte pasoja të përhershme”, u shpreh kreu i Partisë Mundësia.
Shehaj kërkoi që SPAK të ndërhyjë menjëherë për të hetuar ngjarjet dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
“Prokuroria e Posaçme duhet të hapë menjëherë hetim për të gjitha rastet, të sekuestrojë pamjet dhe komunikimet e policisë dhe të identifikojë efektivët e përfshirë dhe drejtuesit që dhanë urdhrat”, theksoi ai.
Në përfundim, Shehaj ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si mund të trajtohen qytetarët në komisariate, duke iu referuar sulmeve ndaj deputetëve të ndodhura para kamerave.
“Kur policia guxon të godasë dy deputetë para kamerave, e mendoni çfarë i bën një qytetari pas dyerve të komisariatit?”, deklaroi ai, duke kërkuar që personat përgjegjës të japin llogari para drejtësisë.