Efektivi që qëlloi me plumb gome deputetin demokrat Kliti Hoti është pezulluar nga detyra. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo në një reagim tha se askush nuk është mbi ligjin dhe se i ka kërkuar kryepolicit Skënder Hita që të nisë hetimin e plotë për ngjarjen.
“Askush nuk është mbi ligjin, aq më tepër një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka për detyrë ta zbatojë dhe ta mbrojë atë. Pasi jam vënë në dijeni të një rasti të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës nga një punonjës i policisë në mënyrë individuale, i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e menjëhershëm të efektivit në fjalë, si dhe nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes.
Siç e kam theksuar vazhdimisht, barazia e të gjithëve përpara ligjit është një parim i panegociueshëm.
Dhuna nuk do të tolerohet, as nga protestuesit që sulmojnë forcat e rendit, institucionet, pronën publike apo bizneset private, as nga punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre. E drejta për të protestuar është e garantuar. Detyrimi për të respektuar ligjin është i njëjtë për të gjithë, pa përjashtim”, shkroi Demo.
Lajmi kryesor:
Protesta/ Deputeti Kliti Hoti qëllohet me plumb gome, pezullohet efektivi! Policia: Nuk mori urdhër! Berisha: Rama donte ta vriste! Kërkojnë dorëheqjen e Demos! VIDEO kur qëllohet











