Gjashtë astronautët në stacionin hapësinor të Kinës zhvillojnë një ceremoni dorëzimi, duke kaluar çelësin e bazës orbitale, më 28 nëntor 2026.
Astronautët e misioneve Shenzhou-23 dhe Shenzhou-24 zhvilluan të shtunën një ceremoni dorëzimi në orbitë, në stacionin hapësinor kinez “Tiangong”, njoftoi Agjencia Kineze e Hapësirës (CMSA), citon “Xinhua”.
Astronauti pakistanez Muhammad Zeeshan Ali, shtetasi i parë i huaj që hyn në “Tiangong”, do të kthehet në Tokë së bashku me astronautët e Shenzhou-23, Zhang Zhiyuan dhe Li Jiaying, njoftoi agjencia.
Astronauti i Shenzhou-23, Zhu Yangzhu, i cili ka kaluar tashmë gjashtë muaj në orbitë në kuadër të një eksperimenti që zgjat një vit, do të mbetet në stacionin hapësinor për misionin Shenzhou-24, së bashku me komandantin Tang Hongbo dhe astronautin Wu Yi.
Astronautët që kthehen i kanë përfunduar të gjitha detyrat e planifikuara. Ata pritet të kthehen në vendin e uljes “Dongfeng”, në Kinën Veriore, me anijen kozmike Shenzhou-23 në ditët në vijim.
Zhang do të shërbejë si komandant i misionit të kthimit, bëri të ditur CMSA-ja.
Ata do të sjellin në Tokë dhurata misterioze nga “Tiangong”, shtoi agjencia.
Aktualisht, në vendin e uljes dhe në të gjitha sistemet përkatëse po bëhen përgatitjet përfundimtare për të pritur kthimin e astronautëve.









