Godina historike e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë do t’i nënshtrohet një restaurimi të plotë, ndërsa mënyra e ekspozimit të historisë së themelimit të shtetit shqiptar do të rikonceptohet përmes teknologjisë digjitale.
Projekti u prezantua nga ministri Blendi Gonxhja me rastin e festave të 28-29 Nëntorit dhe parashikon ruajtjen e tipareve origjinale të godinës, zgjerimin e hapësirave të ekspozimit dhe krijimin e ambienteve të reja për aktivitete kulturore dhe edukative.
Përmes ekspozitave interaktive dhe teknologjive digjitale, vizitorët, veçanërisht brezi i ri, do të kenë mundësi të njihen me historinë e themelimit të shtetit shqiptar.
“Do të ruajmë tiparet origjinale të godinës, duke zgjeruar hapësirat e ekspozimit dhe duke krijuar ambiente të reja për aktivitete kulturore e edukative. Ekspozitat interaktive dhe teknologjitë digjitale do t’i ndihmojnë vizitorët, turistët, veçanërisht të rinjtë, të zbulojnë si u hodhën themelet e shtetit shqiptar”, shkruan Gonxhja.
Projekti përfshin gjithashtu përmirësimin e hapësirave të jashtme dhe krijimin e një identiteti të ri vizual për muzeun.
Vetëm gjatë periudhës janar–tetor 2026, Muzeu Kombëtar i Pavarësisë ka mirëpritur mbi 16 mijë vizitorë.










Komente
Komento