Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar këtë të diel 14-vjetorin e vendimit të Gjykatës së Hagës, e cila shpalli të pafajshëm atë, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka rikthyer në vëmendje vendimin e drejtësisë ndërkombëtare, duke e cilësuar atë një moment të rëndësishëm për të dhe për historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, vendimi i marrë 14 vite më parë konfirmoi jo vetëm pafajësinë e tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së, por edhe atë që ai e konsideron pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës.
“Liri për çlirimtarët! Rroftë UÇK-ja! Sot, 14 vjet më parë, u vërtetua pafajësia ime, e Lahi Brahimajt dhe e Idriz Balajt, si dhe pastërtia e luftës së UÇK-së”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Me këtë mesazh, Haradinaj ka shprehur edhe një herë mbështetjen e tij për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kërkuar liri për çlirimtarët.