Celebrities Gossip Showbiz

Shuhet në moshën 85-vjeçare Mike Love, bashkëthemeluesi dhe zëri i grupit legjendar “The Beach Boys”

Mike Love, këngëtari dhe një prej bashkëthemeluesve të grupit legjendar amerikan “The Beach Boys”, është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga publicisti i tij, i cili bëri të ditur se muzikanti ndërroi jetë të shtunën në mbrëmje, i rrethuar nga familjarët.

Ndërkohë shkaku i vdekjes nuk është bërë publik. Love kishte pasur probleme shëndetësore gjatë muajve të fundit, ndërsa në deklaratën zyrtare për ndarjen e tij nga jeta nuk janë dhënë detaje të mëtejshme.

Muzikanti ishte një nga figurat më të rëndësishme të muzikës amerikane dhe një prej emrave që ndihmuan në krijimin e suksesit ndërkombëtar të “The Beach Boys”, grupit të themeluar në Kaliforni në vitin 1961.

Ai krijoi grupin së bashku me kushërinjtë e tij, mes tyre Brian Wilson, si dhe një mik të tyre. Gjatë dekadave, Love mbeti i vetmi anëtar që ishte vazhdimisht pjesë e formacioneve të ndryshme të grupit.

Ai ishte bashkautor i teksteve të shumë prej hiteve më të njohura të “The Beach Boys”, përfshirë “California Girls”, “Good Vibrations” dhe “I Get Around”.

Grupi u kthye në një nga fenomenet më të mëdha të muzikës amerikane dhe, sipas faqes zyrtare të tij, ka shitur më shumë se 100 milionë disqe në mbarë botën. Në deklaratën për ndarjen nga jeta të Love, ai u cilësua si një ikonë e kulturës amerikane.

“Një ikonë e kulturës amerikane, ai do të kujtohet për talentin e tij të veçantë dhe frymëzimin që u dha brezave të muzikantëve”, thuhej në deklaratë.

Më tej, në mesazh theksohej: “Ne festojmë kontributin e tij të jashtëzakonshëm në muzikën amerikane dhe gëzimin që ai ndiente kur performonte për fansat e tij të dashur”.

Formacioni fillestar i “The Beach Boys” përbëhej nga Mike Love, kushërinjtë Brian, Dennis dhe Carl Wilson, si dhe miku i tyre Al Jardine. Grupi fitoi popullaritet me albumin e parë “Surfin’ Safari”, të publikuar në vitin 1962, ndërsa një vit më vonë publikoi “Surfin’ USA”, që e konsolidoi suksesin e tij.

Megjithatë, albumi i njëmbëdhjetë në studio, “Pet Sounds”, i publikuar në vitin 1966, konsiderohet gjerësisht si një prej kryeveprave të grupit dhe një prej albumeve më të rëndësishme në historinë e muzikës pop.

Mike Love qëndroi për dekada në qendër të aktivitetit të “The Beach Boys”, duke vijuar turnetë me formacione të ndryshme, edhe pas përçarjeve mes anëtarëve themelues. Në vitet 1990, ai paditi me sukses Brian Wilson për të përfituar kredite si bashkautor në dhjetëra këngë të grupit.

Ndërkohë, vdekja e Dennis Wilson në vitin 1983, në moshën 39-vjeçare, dhe e Carl Wilson, i cili ndërroi jetë nga kanceri në vitin 1998, në moshën 51-vjeçare, shënuan humbje të mëdha për grupin.

Pas ndarjes nga jeta të Carl Wilson, Love siguroi të drejtat ekskluzive për të zhvilluar turne me emrin “The Beach Boys”, vendim që shkaktoi një betejë të gjatë ligjore me Al Jardine.

Përgjatë viteve, Love u përball edhe me kritika se ishte xheloz, egoist dhe i përqendruar te përfitimet personale. Në një intervistë për revistën “Rolling Stone”, në vitin 2016, ai iu përgjigj këtyre akuzave me fjalët:

“Çfarë kam bërë unë? Pse jam unë i keqi?”.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve, në vitin 2012 ai u ribashkua me Brian Wilson, Al Jardine dhe anëtarë të tjerë të hershëm të grupit për një turne dhe albumin “That’s Why God Made The Radio”. Ky projekt shënoi regjistrimet e para origjinale të Love me grupin pas më shumë se 15 vitesh.

“The Beach Boys” u përfshinë në Rock & Roll Hall of Fame në vitin 1988 dhe në vitin 2001 morën çmimin Grammy për arritjet e jashtëzakonshme gjatë karrierës.

Pas lajmit për vdekjen e tij, djali i muzikantit, Mike Love Jr., publikoi një homazh në Instagram, duke iu referuar një prej këngëve më të njohura të grupit.

“Vetëm Zoti e di… Sa shumë të dua, babi”, shkroi ai, duke iu referuar këngës “God Only Knows”.

Edhe aktori dhe muzikanti John Stamos, i cili ka performuar me “The Beach Boys” që prej vitit 1985, reagoi me një mesazh prekës.

“Ishte privilegj të doje dikë aq shumë, saqë mungesa e tij të të shkaktojë kaq shumë dhimbje”, shkroi Stamos.

Më herët, më 11 tetor, Love ishte ngjitur për herë të fundit në skenë me “The Beach Boys”, në Ryman Auditorium në Nashville, Tennessee. Në atë paraqitje ai ishte shoqëruar deri në skenë.

Në një reagim të publikuar po atë ditë, Stamos kishte zbuluar se muzikanti po përballej me probleme serioze shëndetësore.

“Shpresojmë që ai të vazhdojë të bëjë atë që do për shumë vite, por nuk e dimë se çfarë sjell e ardhmja. Kemi këtë mbrëmje”, kishte shkruar ai.

Kur Brian Wilson ndërroi jetë vitin e kaluar, Mike Love e kishte kujtuar kushëririn e tij me një mesazh emocionues.

“Bota humbi një gjeni. Unë humba një kushëri gjaku dhe partnerin tim në muzikë”, kishte shkruar ai.

Me ndarjen nga jeta të Mike Love, Al Jardine mbetet i vetmi anëtar themelues i grupit legjendar “The Beach Boys” që është ende gjallë. Trashëgimia muzikore e Love dhe kontributi i tij në krijimin e disa prej këngëve më të njohura të muzikës amerikane do të mbeten pjesë e historisë së muzikës botërore.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.