Fundi i një epoke, Manuel Neuer drejt tërheqjes nga futbolli
Portieri legjendar gjerman, Manuel Neuer, ka dhënë sinjalet më të forta deri më tani se karriera e tij profesionale mund të marrë fund në përfundim të këtij sezoni.
40-vjeçari i Bayern Munichut ka folur hapur për të ardhmen e tij gjatë një takimi me tifozët e klubit, duke lënë të kuptohet se nuk e sheh veten duke luajtur përtej verës së ardhshme.
“Besoj se nuk do të vazhdoj të luaj pas kësaj vere. Tani po përpiqem të shijoj kohën që më ka mbetur”, është shprehur Neuer.
Gardiani gjerman zbuloi gjithashtu se ideja e tërheqjes i kishte shkuar në mendje edhe sezonin e kaluar, kur ishte 85% i bindur se do t’i jepte fund karrierës. Megjithatë, atmosfera në skuadër dhe ambicia për të fituar trofe e bindën të vazhdonte edhe një sezon tjetër.
Neuer iu bashkua Bayern Munichut në vitin 2011 dhe gjatë këtyre viteve është shndërruar në një nga portierët më të mëdhenj në historinë e futbollit, duke fituar 13 tituj të Bundesligës dhe dy Champions League.
Edhe pse nuk ka ende një njoftim zyrtar për tërheqjen, gjithçka duket se po shkon drejt fundit të një karriere të jashtëzakonshme.




